Meloni: BE, përgjegjësi të madhe për vendet e Ballkanit Perëndimor

12:46 | 6 Dhjetor 2022
Vjollca Gajraku

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni deklaroi sot se, BE ka një përgjegjësi të madhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Meloni takoi Kryeministrin Edi Rama, i cili pret pjesëmarrësit në nisje të Samitit BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tiranë, i pari që zhvillohet në rajon.

Në një prononcim për mediet vendase dhe ndërkombëtare, Meloni u shpreh se, “kemi një përgjegjësi të madhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos edhe për shkak të agresionit rus në Ukrainë. Është e rëndësishme që të forcojmë procedurat për hyrjen e këtyre vendeve në BE”.

“Mendoj se ka shumë çështje për të cilat ne duhet të punojmë së bashku, sa i përket ekonomisë, sigurisë kibernetike dhe çështjeje të tjera, të cilat ju e dini që Italia është e angazhuar plotësisht. Prandaj do të përpiqemi të bëjmë më të mirën për shumë çështje, si roaming etj., të cilat do të diskutohen dhe siç e dini sigurisht që mund të keni besim tek Italia në lidhje me këtë”, tha Meloni./ atsh/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme