Rama për Xhakën e Shaqirin: Po përdoren si “mish për top” për lojë luftërash ballkanike

15:44 | 4 Dhjetor 2022
KRG

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u pyet pse nuk reagoi lidhur me Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin pas fitores 2-1 të Zvicrës ndaj Serbisë në Kupën e Botës “Katar 2022”, ndërsa nuk hezitoi të jap një përgjigje.

Në një bashkëbisedim me gazetarët gjatë ditës së sotme, kryeministri Rama është pyetur në lidhje me Xhakën dhe Shaqirin.

Përgjigja e tij ka qenë se nuk dëshiron t’i fryj zjarrit nacionalist dhe se sipas tij lojtarët po përdoren si mish për top për lojë luftërash ballkanike.

“Pse të flisja? Nuk jam kryeministri i Zvicrës”, ishte përgjigja fillestare e Ramës.

“Do i fryja zjarrit të një nacionalizmi qesharak dhe të rrezikshëm. Më falni për shprehjen. Nuk është e nevojshme. Kush e bën këtë nuk bën gjënë e duhur”.

“Është për të ardhur keq si mund të shkëputen nga skuadra e tyre dy lojtarë qytetarë të nderuar të denjë të atij shteti që për shkak të kombësisë të tyre të përdoren si mish për top për lojë luftërash ballkanike”.

“Sa i takon pjesës së sanksioneve, i përkasin politikës së FIFA-s që është tejet strikte. Më duket e tepruar të hyjë në detaje pasi të gjithë kanë të drejtë të manifestojnë sipas dëshirës”, përfundoi kryeministri shqiptar. /OraNews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme