Google ADS

Pushim dimëror apo zëvendësim i orëve të humbura për nxënësit?

09:17 | 4 Dhjetor 2022
A Z

S’ka marrëveshje mes SBASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit, ishte lajmi më i shpeshtë që ka qarkulluar nëpër media gjatë verës.

E pasi po afrohemi fundit të gjysmë vjetorit të parë, përflitet se pushimi dimëror nuk do të mbahet siç është mbajtur çdoherë, e në kuadër të tij do të zëvendësohen orët e humbura gjatë verës.

Arbresh.info ka kontaktuar lidhur me ketë çështje me Ministrinë e Arsimit për ta ditur se si do të zëvendësohen orët e humbura, por nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

Por, ndryshe nga Ministria, kryetari i SBASHK-u, Rrahman Jasharaj thotë se do të qëndrojnë mbrapa vendimeve të tyre.

Ai thotë se orët e humbura në grevë nuk do të zëvendësohen, përveç nëse do të kishte ndonjë marrëveshje midis palëve .

“E kemi thënë që në fillim që orët e humbura në grevë nuk zëvendësohen, përveç nëse do të kishte ndonjë marrëveshje midis palëve”, ka thënë Jasharaj për arbresh.info.

Në rast të mos mbajtjes së pushimit dimëror, Jasharaj thotë se edhe po dolën mësimdhënësit në shkolla është e kotë, pasi pa nxënës nuk mund të zhvillohet mësimi.

“E vërteta është se në disa shkolla ishte mbajtur mësimi, Këshilli i prindërve mban qëndrimin që ka që të shtunave mos të mbahet mësimi, edhe nëse shkurtohet pushimi dimëror, dhe heqet  pushimi pranveror, pa nxënës edhe po dolën mësimdhënësit do të jetë e kotë”, ka deklaruar ai.

Krejt në fund Jasharaj shtoi se këtë çështje mendon që ta lë në dëshirën dhe vullnetin e shkollave, pasi mendon se do të marrin vendimet e duhura.

“Si kryetar i SBASHK-ut, mendoj se këtë çështje do të u a lë në kompetencë mësimdhënëseve  dhe shkollave pasi jam i sigurt se ata do të marrin vendimet e duhura pa e cenuar mësimin, vikendet, pra ne nuk mund të kemi mendim tjetër përveç asaj që e kemi thënë”, ka përfunduar Jasharaj.

Osmankaq: Fëmijët kanë të drejtën për pushim dhe çlodhje

 E njohësja e arsimit, Salie Osmankaq thotë se nuk mund ta mohojmë se fëmijët kanë të drejtën për pushim, dhe as ta mohojmë faktin se janë humbur shumë ditë dhe orë mësimi.

“Se fëmijët kanë të drejtën për pushim dhe çlodhje-këtë nuk duhet ta vë në dyshim askush. Siç nuk mund ta mohojmë as faktin se janë humbur shumë ditë dhe orë mësimi. Duhet ta kuptojmë të gjithë, se duhet bërë përpjekje që të zbusim këtë humbje brenda rrethanave të pranueshme, sado që dihet se humbjet e shkaktuara nga mos mbajtja e mësimit gjate shtatorit, nuk mund te kompensohen asnjëherë tërësisht”, ka thënë ajo për arbresh.info.

Ajo thotë se nuk është e lehtë të gjendet një kohë adekuate për të i kompensuar të gjitha orët.

“Është e vështirë të gjendet një kohë tjetër tërësisht adekuate për të kompensuar orët dhe ditët e humbura të mësimit përgjatë shtatorit, muajit që njihet si ndër më efikaset në vitin shkollor”, shtoi ajo.

Përveç kësaj, Osmankaq thotë se nuk e dinë nëse janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për mësim.

“Nuk kemi një siguri se sa janë bërë përgatitjet e institucioneve komunale dhe të shkollave, që të ofrohet ngrohje cilësore nëpër shkolla në ditët që njihen si më të ftohta gjatë gjithë vitit. Pra, në krejt këtë situate, ne gjendemi përballë dy sfidave, lodhja dhe mundimi I nxënësve dhe krijimi ose jo I kushteve të volitshme për mbajtje të mësimit. Është për keqardhje situata para së cilës janë vënë nxënësit pa fajin e tyre. Prandaj, duhet ta themi haptas dhe me vendosmëri se grevat në arsim, me ndërprerje të mësimit, nuk duhet të ndodhin më kurrë’, ka përfunduar ajo.

Kujtojmë se SBASHK-u ka paralajmëruar përsëri grevë në janar.

Mbetet të shihet se si do të kompensohen orët e humbura dhe a do të qëndrojnë mbrapa kërkesave të tyre SBASHK-u. /Kujtesë Berisha/arbresh.info/

 

 

 

 

Të ngjashme