Suedia dëbon një kurd nën dyshimet për lidhje me PKK-në

23:54 | 3 Dhjetor 2022
E.H

Suedia dëboi të premten një kurd që dyshohet të ketë lidhje me grupin militant kurd PKK, tha një ministre e vendit për një televizion suedez, ndërsa Ankaraja vazhdon presionin ndaj vendit nordik për të përmbushur kërkesat e saj në këmbim të anëtarësimit në NATO.

Mahmut Tat kishte kërkuar azil në Suedi në vitin 2015 pasi u dënua në Turqi me gjashtë vjet e 10 muaj për lidhje të dyshuara me PKK-në. Kërkesa e tij përfundimtare për azil u refuzua vitin e kaluar nga Agjencia Suedeze e Migracionit.

Ministrja suedeze e Migracionit Maria Malmer Stenergard i tha televizionit SVT se qeveria nuk kishte luajtur asnjë rol në vendim.

“Bëhet fjalë për një rast deportimi ku një individi i është refuzuar kërkesa për azil,” tha ajo. “Qeveria nuk ka asnjë rol në vendimmarrjen për kërkesat për azil.”

Televizioni shtetëror turk TRT tha se Tat u dërgua në një burg të Stambollit të shtunën.

Suedia dhe Finlanda paraqitën në maj kërkesën për t’u anëtarësuar në NATO-n në përgjigje të agresionit rus në Ukrainë, por hasën në kundërshtime nga Turqia, e cila akuzoi të dy vendet se strehojnë militantë nga PKK-ja dhe grupe të tjera.

Turqia tha të mërkurën se Suedia dhe Finlanda kishin bërë përparim drejt anëtarësimit në NATO, por se ende duhej të bënin më shumë për të plotësuar kërkesat e Ankarasë për veprime ndaj pjesëtarëve të grupeve militante.

Ankaraja kërkon gjithashtu persona të dyshuar për lidhje me Fethullah Gulenin, kleriku turk që jeton në Shtetet e Bashkuara dhe akuzohet për orkestrimin e përpjekjes së dështuar për grusht shteti në vitin 2016 kundër presidentit Erdogan.

Stokholmi dhe Helsinki mohojnë se po strehojnë militantë, por janë zotuar të bashkëpunojnë me Ankaranë lidhur me shqetësimet e saj të sigurisë.

NATO-ja i merr vendimet me konsensus, që do të thotë se për t’u anëtarësuar, Suedisë dhe Finlandës u duhen votat e 30 vendeve aleate. Vetëm Turqia ka ende rezerva për anëtarësimib e dy vendeve./voa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme