Popullsia e botës po rritet, por ajo e Kosovës po zvogëlohet, pasi që nga viti në vit nataliteti po shënon rënie.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës vetëm deri në muajin tetor të këtij viti kanë lindur 19 mijë 899 foshnje.
E këto shifra po shihen si të ulëta në shtimin e popullsisë së vendit.
Sociologët po e shohin si gjendje alarmante që po rrezikon shoqërinë kosovare, dhe sipas tyre shteti duhet të bëjë më shumë në këtë fushë, duke iu ndihmuar financiarisht në rritjen e fëmijëve.
Kosova vend i pensionistëve
Sociologu Shaip Hasani thotë se kjo ulje e natalitetit është shumë e rrezikshme për vendin dhe sipas tij, Kosova rrezikon të mbetët vetëm më 1 milionë banorë dhe të emërohet si vend i pensionistëve.
“Unë mund të marrë një shembull praktik që është degraduar dhe vështirë që mund të përmirësohet ndonjëherë. Prindi im ka pasur shtatë fëmijë, unë kam tre, kurse djali im tash ka vetëm një fëmijë është zvogëlimi i popullsisë. Le që po zvogëlohet për çdo ditë e më tepër edhe këtu në Ballkan e mbi të gjitha te shqiptarët. Nuk e di a do të mbetemi 1 milion banorë apo jo në Kosovë ose eventualisht Kosova do të emërtohet me atë emrin e famshëm dhe i cili po duket që po shkon drejt realitetit “Kosova vend apo tokë e pleqve apo e pensionistëve”, tha ai.
Tutje Hasani thotë se rënia e natalitet paraqet edhe rrezik në shuarjen e popullsisë shqiptare.
“Është rreziku më i madh i shekullit. Jemi te popullsia shqiptare e cila kanoset në forma të ndryshme jo të pakësimit, por guxoj me thanë e me marrë fjalën të mendimit të plotë edhe të zhdukjes. Duke i konsideruar popujt e tjerë të Ballkanit në 12 që nuk ekzistojnë më, shqiptarët nëpër histori kanë mbijetuar por në rrezikun më të madh tash janë tu u asimiluar”, shprehet Hasani.
Shtesat prej 10 eurove nënçmim
Sociologu Bekim Selishta thotë se rënia e natalitetit është gjendje alarmante dhe rrezikon shoqërinë kosovare, ku shkaktari kryesor i rënies së natalitetit janë kushtet ekonomike.
“Dinamika e jetës kërkon një komoditet prej shtetit të iu ofrohet qytetarëve, fëmijët janë produktivitet i shtetit. Këto shtesat prej 10 eurove janë nënçmim. Është rrit inflacioni janë rrit çmimet dhe për prindër nuk është e lehtë. Shteti duhet të mendoj për këtë e jo vetëm për vete. Shtetet e zhvilluara prindërve ua lehtësojnë dinamikën e jetës me subvencionime të ndryshme nga shteti. E tek ne është e kundërta, një pjesë e sektorit publik janë stabil me punën, ndërsa sektori privat nuk ofron siguri, kjo ndikon negativisht dhe direkt në uljen e natalitetit, pasi që nuk ka kontrata valide”, thotë ai.
Selishta thotë nëse një shtet nuk ka rigjenerim të popullatës shkon drejt shuarjes pasi që nuk mund të funksionoj si shtet.
“Nëse nuk ka rigjenerim të popullatës është shuarje e atij vendi. Popullsia shkon tu u plakë prej plakjes nuk ka produktivitet të punës aty. Dhe shteti si shtet nuk mund të funksionoj si duhet. Ne të vetmen
armë që e kemi pas deri tash prej para luftës së parë e të dytë ka qenë fuqia e vetme e mbijetimit nataliteti, nuk kemi pas tjetër fuqi përveç natalitetit d.m.th. popullsia ka mbijetuar në bazë të natalitetit, pohon Selishta.
Ndryshe, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ditë më parë është shprehur i shqetësuar për rënien e popullsisë në Kosovë. Këtë shqetësim e ka shpreh në tryezën e diskutimit rreth “Perspektivës Demografike të Kosovës në Botën e Mundësive të Pafundme”.
“Kosova çdo vit është më pak e re dhe këtë duhet ta kemi në vëmendje, popullata e Kosovës po vjetërsohet. Shtetet bëjnë përpjekje që ta ruajnë popullsinë e tyre. Prandaj edhe Kosova duhet të bëjë këtë”, ka thënë Konjufca.
Kujtojmë se në Kosovë, ligji i punës parasheh që për secilin fëmijë të lindur, nënës të i takojë pushimi i lehonisë prej një viti, ku gjatë tre muajve të parë të pushimit të lehonisë, pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim prej shtatëdhjetë për qind 70% të rrogës bazë, pastaj gjashtë muajt në vijim, pushimi i lehonisë paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim prej 50% të rrogës mesatare në Kosovë.
Po ashtu nënat e reja mbi 18-vjeçare po mbështeten me nga 170 euro në muaj nga Qeveria e Kosovës. Për fëmijët nga 0 deri në 24 muaj pagesa bëhet me nga 20 euro kurse nga mosha 2 deri 16 vjet nga 10 euro./Vjollca Gajraku/arbresh.info/
Lushtaku viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Do të kthehen ...
Incidenti në Kuvendin e Serbisë, Kamberi: Motoja “Duar...
Krasniqi: Arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e V...
“Ai është një i papenduar” – për kë po diskutojnë Rovena dhe...
Xheneta – Lelës: Anisa u ka treguar Edit dhe Drilonit për rr...
Kurti pret në takim kryetarin e Kuvendit të RMV-së