Google ADS

Berisha: Dështimi për t’i ofruar siguri personave që kanë dhunë në familje është zingjiror

15:37 | 1 Dhjetor 2022
E.H

Hamide Magashi u vra mbrëmë nga ish- bashkëshorti i saj, Sokol Haliti.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në oborrin e Gjinekologjisë në QKUK ku viktima priste ta sillte në jetë fëmiun e saj të parë.

Siç bëhet e ditur nga Gjykata Themelore e Ferizajt, e ndjera kishe pasur urdhër mbrojtje, raporton arbresh.info.

Avokati Besnik Berisha për arbresh.info deklaroi se vrasja e viktimës nuk nënkupton që policia ka dështuar.

“Jo, absolutisht kjo nuk nënkupton që policia ka dështuar për të ofruar siguri për shkak se urdhri mbrojtës nuk nënkupton automatizëm, mbrojtje të afërt 24 orësh për viktimën. Ky është një koncept i gabuar prej kush do që e ka analizuar në atë mënyrë. Unë mendoj që janë me qindra që aplikohen nga gjykata ku urdhri mbrojtës nënkupton që i ndalohet personit përgjegjës të dhunës që ti afrohet njërit ose tjetrit. Por kjo nuk do të thotë që është urdhër që duhet të ofroj mbrojtje të afërt 24 orëshe. E kam parë, e kam lexuar që është një keqinterpretim i urdhrit mbrojtës”, u shpreh Berisha.

Berisha bëri të ditur për arbresh.info se urdhri mbrojtës nënkupton që viktima ka pasur dhunë më herët dhe dorasi e ka pasur të ndaluar ti ofrohet në një distancë të caktuar.

“Urdhri mbrojtës nënkupton që viktima ka pasur telashe të dhunës edhe më herët dhe se tash dorasi, i dyshuari për privimin nga jeta të saj, e ka pasur të ndalur të i afrohet në një distancë të caktuar që ti shkaktoj dhunë qoftë psiqike, qoftë fizike. Por në vetvete, shkelja e urdhrit përben vepër penale dhe atëherë aktivizohet policia për të ndërmarr veprime të tjera në përputhje me urdhëresat e prokurorit të çështjes”, shtoi ai.

I pyetur nga arbresh.info se me këtë rast a ka dështuar sistemi i drejtësisë apo policia, Berisha deklaroi se nuk mund ti atribuohet vetëm në një shtyllë sepse është zingjirorë.

“Besimi është i zingjiror nuk mund ti atribuohet vetëm një shtylle siç është drejtësia ose vetëm një institucioni siç është policia. Dështimi për ti ofruar siguri ndaj personave të ndjeshëm që kanë dhunë në familje, ndaj fëmijëve deri të pleqtë, është zingjiror dhe kjo duhet të hyjë në prizën më të gjerë se sa të identifikohet tek një person ose tek një institucion”, potencoi avokat Berisha.

“Për mua keni dështuar të gjithë përderisa një nënë me fëmijën e saj në bark është privuar nga jeta në institucionet ku ajo pritej të sjell në jetë një fëmijë e jo ta bënte kurban edhe jetën e saj edhe jetën e tij. Unë kështu e gjykoj, në gjykimin tim dështimi është zingjirorë, kemi dështu si shoqëri, kemi dështu si institucione, po dështojmë për ditë dhe reagimet i kemi vetëm atëherë kur tragjeditë na godasin dhe kur mediat e bëjnë punën e tyre dhe zëri për të zi na shkon deri në Zelandë”, tha Berisha për arbresh.info.

Kujtojmë se sot ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu para meidave tha se në qoftë se ka dështuar ndokush, do të ketë dorëheqje.

“Kompetencat janë të ndara, por ju garantoj që nëse shohim se ka dështu dikush, do të ketë dorëheqje, do ketë shkarkim. Por, keni parasysh se dorëheqjet dhe shkarkimet janë kërkuar edhe në rastet e kaluara kur ka dështuar prokuroria, asnjë dorëheqje, asnjë shkarkim”, tha Haxhiu./arbresh.info/Ejona Hyseni

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme