Prishtina “mbushet” me kamera të sigurisë

15:42 | 21 Nëntor 2022
Emir Abduramani

Komuna e Prishtinës nga e premtja e kaluar ka filluar vendosjen e kamerave të sigurisë nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit, përfshirë sheshin “Zahir Pajaziti” e deri tek sheshi “Adem Jashari”.

Arbresh.info të premten ka raportuar se këto kamera janë vendosur nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës edhe në rrugën “UÇK” te Qafa.

Në një përgjigje dhënë për arbresh.info, Drejtoria e Shërbimeve Publike  e Komunës së Prishtinës, ka bërë të ditur se këto kamera janë vendosur në bazë të një memorandumi të nënshkruar nga Komuna dhe Policia.

“Komuna me projekt të veçantë ka vendosur kamerat e sigurisë në sheshet e qytetit duke filluar nga “Zahir Pajaziti deri te Adem Jashari”.Për këto kamera është nënshkruar memorandum në mes të Komunës së Prishtinës dhe Drejtorisë së Policisë për monitorimin e tyre”, deklaruan nga kjo Drejtori për arbresh.info.

Po ashtu, për arbresh.info nga Komuna e Prishtinës bëhet e ditur se baza e këtyre kamerave gjendet brenda komunës dhe qasja në to mund të bëhet vetëm me kërkesë të organeve të rendit, ashtu siç e parasheh memorandumi i nënshkruar.

“Por për shkaqe teknike baza e tyre është ende në Komunë nga se për bartjen e tyre në objektin e policisë duhen të kryhen disa pune teknike. Qasja në dhomën ku janë të instaluara  pajisjet  e kamerave bëhet vetëm me kërkesë të policisë deri te bëhet transferimi i tyre tek policia sipas memorandumit.” – thonë nga kjo Drejtori.

Ndërkaq, në vendosjen e kamerave të sigurisë ka ndihmuar edhe OSCE me anë të një donacioni, kurse monitorimi i tyre bëhet vetëm nga Policia.

“Disa kamera janë vendosur në disa rrugë si donacion nga OSCE në bashkëpunim me KLSP Qendra, këto kamera monitorohen nga Policia.”, thuhet në përgjigjen e Komunës./arbresh.info/

Të ngjashme