Stoichkov: Kupa e Botës është një festë familjare

11:45 | 21 Nëntor 2022
L G

Hristo Stoichkov është padiskutim futbollisti bullgar më i suksesshëm në histori, duke fituar një mori çmimesh individuale dhe tituj klubesh. Performanca e tij në Kupën e Botës në vitin 1994, ku shënoi gjashtë gola, bëri që ai me të drejtë të vlerësohet si ikonë.

“Kupa e Botës 1994 ishte pjesëmarrja jonë e gjashtë në këtë turne dhe ne nuk kishim fituar kurrë një ndeshje – gjithmonë ishin barazime ose humbje. Ne u nisëm në atë Botëror me objektivin e vetëm për të fituar një ndeshje, në mënyrë që kur të zgjoheshim të nesërmen, të gjitha faqet e para të gazetave në vendin tonë të kishin potencuar fitoren e parë të Bullgarisë në Kupën e Botës”, ka theksuar Stoichkov në platformën e re të FIFA-s “Futbolli i bashkon njerëzit”, e ku flasin legjendat e futbollit.

Në ndeshjen hapëse të atij Botërori, bullgarët humbën 3-0 ndaj Nigerisë, por ajo që ndodhi më pas, u bë pjesë e historisë së Kupës së Botës. Stoichkov me shokët e tij shkuan deri në gjysmëfinale, pas fitoreve kundër Greqisë, Argjentinës, Meksikës dhe Gjermanisë, transmeton rtk.

“Natyrisht, ne ishim shumë larg Bullgarisë. Nuk e dinim se çfarë kishte ndodhur gjatë Kupës së Botës në rrugë, në stadiume, në shtëpi. Nga një vend i vogël me zemër të madhe deri tek shijimi i fitores sonë të parë, të dytë, të tretë, të katërt… ishte e jashtëzakonshme të shihje që i tërë vendi ishte me makina në rrugë, njerëz që bërtisnin emrat tanë, njerëz të lumtur”, ka rikujtuar Stoichkov momentet e lavdisë së bullgarëve

Stoichkov në fund ka dhënë edhe një mesazh të rëndësishëm unifikues, tani kur bota po ballafaqohet me konflikte dhe kriza të mëdha.

“Kupa e Botës është një festë familjare, një festë që e organizon FIFA, e që i bashkon njerëzit. Pavarësisht se nga jemi, pavarësisht se çfarë ngjyre jemi, është e rëndësishme të bashkohemi, të përqafojmë njëri-tjetrin, të bashkohemi për paqen. Kjo është Kupa e Botës”, ka shtuar Stoichkov.

Të ngjashme