Ideja e vjetër e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, po rikthehet sërish në tryezë edhe pse mendohet se kjo ide ka “vdekur”.
E gjithë kjo pasi aktualisht politika në Kosovë e Serbi është trazuar pas situatës në veri dhe dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.
Pikërisht në këtë situatë mundësin e shkëmbimit të territoreve e rikthej kryetari i Aleancës Demokratike Serbe, Sllavisha Petkoviq.
“Me këtë skenarë është e qartë se është kthim prapa, marrëveshja e Thaçit me Vuçiqin për ndarjen e Kosovës”, ka thënë Petkoviq në lajmet e fundit në Radio Televizionin Publik të Kosovës.
Se një mundësi e tillë mund të ndodh vlerësojnë edhe njohësit e çështjeve politike në vend.
Analisti, Fatmir Sheholli thotë se ideja e ndarjes së veriut është në interes vetëm të Serbisë, ku sipas tij Petkoviq është bazuar në njohurit e tij që Vuçiq i ka në tavolinë.
“Është interes i Serbisë që të ringjallet ideja e ndarjes së veriut të Kosovës. Ish ministri Petkoviq ka shprehur opinionin e tij duke u bazuar në njohurit e tij që Vuçiq i ka në tavolinë. Megjithatë unë konsideroj që nevojitet bashkëbisedim intensiv institucional e shoqëror me serbët lokal që të kemi shtet të shëndosh dhe real e normal”, thotë Sheholli.
Baraliu: Po u hodh prapë ideja e shkëmbimit, pasojat do të jenë të mëdha
Njohësi i zhvillimeve politike, Mazllum Baraliu, thotë se nëse do të ndodh një gjë e tillë nuk do t’i shihet fundi, pasi nuk mund të shkoj lehtë pa probleme të natyrës së konflikteve.
“Tash për tash, nuk besoj që është interes i fuqive të mëdha evropiane në këtë rast edhe SHBA-ve që ti futet dikush asaj aventure sepse as ajo mandej nuk i shihet fundi dhe nuk dihet ka dilet dhe ku të shkohet sepse mandej nuk përfundon vetëm me shkëmbime territoriale mes Kosovës dhe Serbisë por jam i bindur se duke e njohur situatën veçmas për konflikte e probleme mund të zgjerohet në një kufi që mandej nuk mund ta ndal kush. Pra mund të bëhet ri-konfigurimi i Ballkanit dhe ai nuk mund të shkoj letë e as shpejt dhe pa dhimbje e probleme e mbase dhe pa probleme të natyrës së konflikteve”, shprehet ai.
Sipas tij, gjithçka që po bëjnë serbët kanë prapavijën e Rusisë.
“Situatën e kanë krijuar këta që po duan të destabilizojnë edhe Kosovën përmes Rusisë, Rusia po e shtyn Beogradin dhe po duan që thjesht kërkesat e tyre ëndrrat hegjemoniste ti realizojnë përmes të tjerëve kështu kanë vepruar këta të Beogradit historikisht dhe ky regjim nuk është ndonjë përjashtim prej tyre ky i Vuçiqit”, pohon Baraliu.
Qeveria e Kosovës duhet të ketë ndonjë plan nëse diçka e tillë mund të përsëritet
Ndërsa, Afërdita Maliqi analiste politike thotë se pala serbe do ta shfrytëzojë këtë moment që ose ta bëjnë Asociacionin me kompetenca ekzekutive, ose ta marrin veriun.
“Pas situatës së fundit në Veri, tashme shihet se gjërat mund të kenë ndryshuar. Pala serbe, e cila nuk ka hequr asnjëherë dorë nga Veriu, do ta shfrytëzojë këtë moment që ose me bë Asociacionin me kompetenca ekzekutive, ose marrjen e veriut. Tashme kartat mund të jenë të hapura, por mendoj që Qeveria jonë duhet të ketë plan nëse del në tavolinë një ide e tillë”, thotë Maliqi.
Kujtojmë se në vitin 2018, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaruan gatishmërinë e tyre për të shqyrtuar një shkëmbim territorial mes dy vendeve.
Aktualisht situata është tensionuar në veri të Kosovës pas suspendimit të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.
Nga 1 nëntori ka filluar që të gjithë pronarëve të makinave me targa serbe në Kosovë, t’iu shqiptohet masë qortimi me kërkesë për t’u drejtuar në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve. Ndërsa nga 21 nëntori deri më 21 janar, pronarët që kanë ende makina me targat serbe në Kosovë, do të gjobiten me 150 euro. /arbresh.info/ Vjollca Gajraku/
Kurti: S’kemi mosmarrëveshje me Maqedoninë e Veriut, bashkëp...
Fermerët francezë në protesta mbi marrëveshjen tregtare BE-M...
Kurti: Nga 1 janari do të kemi pikëkalime të përbashkëta kuf...
Mickoski: Bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliar...
Takimi ndërqeveritar, Kurti: Partnerë të lidhur jo veç prej ...
Amorimi sot mban seancën e parë stërvitore me Unitedin