Google ADS

Kurti takoi drejtuesit e eGA-së dhe e-Estonia Briefing Centre, u vlerësua bashkëpunimi për qeverise elektronike

18:36 | 18 Nëntor 2022
E.H

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Akademinë Estoneze për Qeverisje Elektronike (eGA) ku u takua me Drejtorin Ekzekutiv, Hannes Astok dhe ekipin e tij, si dhe e-Estonia Briefing Centre, ku u prit nga Menaxherja e përgjithshme, Ave Lauringson.

Në takimin me eGA u theksua se Republika e Kosovës e vlerëson modelin estonez të shtetndërtimit në shumë aspekte, e veçanërisht në lidhje me kapacitetet institucionale në reformën e administratës publike.

U vlerësua mundësia për të përfituar nga përvoja e suksesshme estoneze në qeverisjen digjitale.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se në këtë takim u vlerësua bashkëpunimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës me Akademinë Estoneze për Qeverisje Elektronike, në zhvillimin e strategjisë së re të e-Qeverisjes, që do të shërbejë si udhërrëfyes për transformimin digjital të mëtejshëm në qeveri.

Strategjia e re e e-Qeverisjes do të mbulojë të gjitha aspektet e transformimit digjital, duke përfshirë forcimin e kapaciteteve të koordinimit dhe politikëbërjes në qeverisjen elektronike. Krahas nxitjes së inovacionit në e-Qeverisje, kjo strategji po ashtu ka për qëllim zhvillimin e kompetencave digjitale në qeveri, ofrimin e shërbimeve elektronike të besueshme, të përqendruara te përdoruesit dhe me qasje gjithëpërfshirëse për qytetarët dhe bizneset, si dhe rritjen e sigurisë kibernetike të sistemeve qeveritare.

Estonia është lider botëror në fushën e qeverisjes elektronike, andaj Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me eGA për bartjen dhe zbatimin e praktikave më të mira të digjitalizimit nga Estonia në vendin tonë./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme