Reshjet e shiut përmirësojnë situatën energjetike në Shqipëri, parashikohet shkëmbim energjie me Kosovën

15:42 | 18 Nëntor 2022
A. B.

Reshjet e shiut pritet të sjellin prurje të konsiderueshme në hidrocentralet e Shqipërisë duke përmirësuar situatën energjetike në vend.

Lajmin e ka bërë të ditur zëvendëskryeministrja dhe ministrja e energjisë Belinda Balluku gjatë inspektimit me kryeministrin Edi Rama të ndërtimit të rrugës Orikum-Dukat në jug të vendit.

Ndërsa inspektimi i tyre u shoqëruar nga reshjet e shiut, e pyetur nga kryeministrit për prurjet në hidrocentrale, Balluku tha se niveli i prurjeve ishte i mirë dhe nëse do të vazhdonte në këtë ritëm, duhet të ketë shkëmbim energjie me Kosovën.

Mundësia tjetër është dalja në treg për të shitur energji, tha ajo.

“Ka prurje të konsiderueshme. Ka pasur një shkëputje të reshjeve mbrëmë në darkë, kanë nisur tani në orën 12 dhe pritet të mbarojnë në 12 të natës. Ka pasur prurje në liqenin e Fierzës, të cilën ne po e konservojmë. Jemi duke shkuar në 268 metra në këto momente”, tha ajo.

“Sa i përket pjesës së Komanit dhe Vaut të Dejës po tregohemi të kujdesshëm, por duhet të shohim si do ta menaxhojmë, pasi prurjet do të jenë edhe gjatë ditës së nesërme dhe do të vazhdojnë deri në datë 23. Duhet te jemi të kujdesshëm për të mos pasur shkarkime. Duhet të shkëmbejmë energji me Kosovën ose do dalim në treg për të shitur”, tha Balluku.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme