Begaj i kërkon Presidentit të Azejrbajxhanit njohjen e Kosovës

17:35 | 15 Nëntor 2022
KRG

“Shqipëria synon të shtojë bashkëpunimin me Azerbajxhanin në sektorët jetikë si energjia, infrastruktura dhe turizmi, si dhe të kthehet në një vend përfitues të transmetimit të gazit”. Kjo u theksua sot në takimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, gjatë vizitës së parë të një presidenti azer në Shqipëri.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Begaj u shpreh se, “kjo është një vizitë historike për miqësinë tonë, duke qenë hera e parë që Tiranën e viziton një president nga Azerbajxhani”. Gjatë fjalës së tij, Begaj kërkoi nga Aliyev njohjen e Kosovës prej Azerbajxhanit dhe mos pengimin e saj në rrugëtimin drejt anëtarësimit në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare.

“Përsa i përket rajonit tonë, i shpreha Presidentit mik Aliyev qëndrimin se Kosova është tejet e rëndësishme për Shqipërinë. Stabiliteti dhe përparimi demokratik i Kosovës është i rëndësishëm jo vetëm për ne, por për qëndrueshmërinë dhe përparimin e gjithë rajonit tonë. Ne inkurajojmë qeverinë e Azerbajxhanit që të mbështesë dhe mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizma të ndryshëm ndërkombëtarë, si në Këshillin e Evropës apo njohjen e dokumenteve të udhëtimit të qytetarëve të Kosovës. Jo më pak i rëndësishëm është bashkëpunimi ndër-parlamentar. Krijimi i Grupit Parlamentar të Miqësisë mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit duhet të ndiqet nga hapa të tjerë, që krijojnë mundësitë për intensifikim të bashkëpunimit mes dy parlamenteve tona”, tha Begaj, ndërkohë që Aliyev kërkoi nga Shqipëria që të mbështesë kërkesat e Azerbajxhanit për sanksione ndaj Armenisë për çfarë po ndodh në rajonin e Nagorni Karabakh.

Aliyev përmendi edhe faktin se Shqipëria është një rrugë kalimi për gazin azer në drejtim të Europës. “Deri në 2027 do të dyfishojmë furnizimin me gaz për Europën dhe ky gaz do të kalojë përmes Shqipërisë”, tha presidenti azer duke shtuar se Azerbajxhani ka sasi të mëdha gazi dhe mund të dyfishohet sasia e gazit që transportohet nga vendi i tij në drejtim të Europës.

“Duke u ndalur te politika e jashtme, theksova se Shqipëria mbështet paqen afatgjatë në rajonin e Kaukazit Jugor dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes diplomacisë, me ndërmjetësimin e aktorëve ndërkombëtarë. Inkurajova ndërkohë qeverinë e Azerbajxhanit që të mbështesë dhe të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizma të ndryshëm ndërkombëtarë apo njohjen e dokumenteve të udhëtimit të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Begaj në Facebook.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme