Mblidhet bordi i Manchester United, pritet vendimi për Cristiano Ronaldon

13:04 | 15 Nëntor 2022
K.B

Manchester United do të zhvillojë diskutime të tjera të brendshme sot për situatën e Cristiano Ronaldos.

Portugezi ka dhënë një intervistë shpërthyese për Piers Morgan në “TalkTV”, në të cilën ka goditur menaxherin Erik ten Hag dhe ka akuzuar klubin se po përpiqet ta detyrojë atë që të largohet.

Në pamjet e fundit të rrjedhura nga intervista, portugezi ka goditur edhe familjen Glazer, pronarët e Man Utd, për moskujdes për ekipin.

Sipas gazetarit Fabrizio Romano, sot do të ketë bisedime të mëtejshme ku mendohet se një gjobë e rëndë mund të jetë në diskutim.

“Bordi i Manchester United diskutoi të hënën dhe ata do të vazhdojnë të diskutojnë të martën për zgjidhjen e kësaj historie dhe hapin tjetër”, shpjegoi Romano.

“Ata po kontrollojnë të gjitha fjalët e thëna nga Cristiano dhe do të jenë të qartë për pozicionin e tyre. Njerëzit brenda klubit mendojnë se ka përfunduar pothuajse mes tyre dhe Ronaldos pas kësaj interviste. Një gjobë është një mundësi e konsideruar nga brenda, ndërsa diskutimet janë ende duke u zhvilluar.”, thekson më tutje Romano.

Tifozët e United do të jenë shumë të zhgënjyer me mënyrën se si Ronaldo po e trajton situatën e tij, pasi duket se kjo mund të dëmtojë seriozisht reputacionin e tij.

37-vjeçari ka shijuar një karrierë legjendare si lojtar, dhe me siguri do të mbahet mend gjithmonë me dashuri për periudhën e tij të parë me “Djajtë e Kuq” nën drejtimin e Sir Alex Ferguson.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme