Shkupi dhe Tirana nënshkruajnë 20 marrëveshje bashkëpunimi

19:21 | 14 Nëntor 2022
KRG

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë nënshkruar 20 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi ndërqeveritare në disa fusha, si ekonomi, shëndetësi, arsim, siguri dhe transport.

Kjo u bë në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, e cila u mbajt më 14 nëntor në Shkup.

Memorandumet dhe marrëveshjet e bashkëpunimit përfshijnë edhe doganat, transportin ujor dhe digjitalizimin.

Ndër tjera, është paraparë që pika e kalimit kufitar mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Qafë Thanë, të shëndrrohet si vendkalim i përbashkët.

Dy kryeministrat, Dimitar Kovaçevski dhe Edi Rama, në takimin e dy qeverive kanë folur edhe për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, me synimin që të dyja shtetet të bëhen anëtare me të drejta të plota të unionit deri në vitin 2030.

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë shembull se si ndërtohen raportet e fqinjësisë së mirë. Jo shumë kohë më parë, i gjithë Ballkani u mbajt peng i politikave retrograde. Nevojitet një vizion për të parë rajonin si tërësi, për të vepruar në drejtim të një të ardhmeje të përbashkët evropiane”.

“Marrëdhëniet dypalëshe midis Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë nuk kanë qenë kurrë më të mira sesa janë sot. Lirisht mund të themi se jemi shembull i dy fqinjëve, ata mund dhe duhet të bashkëpunojnë drejt synimit për anëtarësim në BE”, tha Kovaçevski.

Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit mes shteteve dhe nismat rajonale kryeministri Rama përmendi edhe Ballkanin e Hapur.

“Kemi parë rezultate të mira të marrëveshjeve të arritura të Ballkanit të Hapur, ashtu sikur do të vazhdojmë të jemi edhe mbështetës të palëkundur të Procesit të Berlinit, duke pasur aftësinë që t’i shohim bashkë këto dy nisma si pjesë të njëra-tjetrës dhe në asnjë mënyrë si përjashtuese të njëra-tjetrës”, ka deklaruar Rama.

Nisma Ballkani i Hapur është vazhdimësi e Mini-Shengenit ballkanik dhe u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Kosova, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi nuk janë pjesë e saj.

Ndërsa procesi i Berlinit u vendos në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, me qëllim të lidhjes dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor përpara se të anëtarësohen në BE.

Rama ka mirëpritur ndihmën që ka dhënë BE-ja për vendet e Ballkanit Perëndimor për përballje me krizën energjetike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë, por Rama tha se “këto fonde janë rialokim i fondeve IPA-s prandaj, sipas tij, shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë shumë ambicioz dhe kërkues nga Bashkimi Evropian”.

Dy kryeministrat kanë diskutuar edhe për zhvillimet rajonale, me theks të veçantë konfliktin në Ukrainë duke dënuar edhe njëherë agresionin rus

Kovaçevski tha se dy vendet janë të vendosura qartë në vijën e politikës së jashtme të BE-së për paqen dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon.

“Në momentet kyçe për botën ne po japim kontributin tonë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, por edhe më gjerë në Evropë… Është në interesin tonë të përbashkët të parandalojmë përpjekjet e palëve të treta për qëllimet e tyre për të tërhequr vendet tona dhe të gjithë Ballkanin Perëndimor në skenarë të padëshirueshëm, skenarë që kërcënojnë përfitimet demokratike për të cilat kemi punuar kaq gjatë për të rivendosur, që do të bllokojnë mundësitë për zhvillimin ekonomik të shteteve dhe do ta tërheqë rajonin në izolime dhe tensione të reja, të cilat Ballkani mezi i ka kapërcyer”, tha ai.

Kjo është mbledhja e dytë mes Qeverisë së Maqeonisë së Veriut dhe Shqipërisë, pas asaj që ishte mbajtur në Pogradec të Shqipërisë, më 17 maj.

Në mbledhjen e parë mes dy qeverive ishin nënshkruar disa marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi, përfshirë edhe atë për luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit./REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme