Punëtorët e sektorit privat duhet të kenë rritje të rrogës.
Kështu po kërkon ministri i financave Hekuran Murati, i cili tha se bizneset më pas, për atë rritje do të subvencionohen nga shteti për 50%. Kjo meqë janë rritur edhe çmimet dhe kompanitë kanë profit më të madh.
“Andaj është koha që fitimet e shtuara, bizneset t’i ndajnë me ata që ua mundësojnë të kenë fitim pra punëtorët. Sidomos tani kur jeta është bërë më e vështirë si rezultat i çmimeve më të larta”, ka thënë Murati.
E dikush pikërisht në ditën kur Murati pati thirrje, deklaroi për rritje pagash. Pronari i kompanisë Elkos Group, Ramiz Kelmendi, njoftoi se ua ka rritur pagat punëtorëve nga 8 deri në 10%.
“Rritja të cilën e kemi aplikuar në rrumbullakësim vjetor ka koston e 947 mijë eurove. Jam i bindur se kjo sadopak do zbusë rritjen e inflacionit i cili po dëmton seriozisht ekonominë dhe buxhetin familjarë”, shkroi ai në njoftim.
Bizneset e mirëpresin, por thonë se subvencionimi duhet të zgjat më shumë se tre muaj
Edhe biznesmeni V.G nga Prishtina, që dëshiroi të mbetet anonim, thotë se kjo është mundësi e mirë, mirëpo sipas tij do të duhej të ishte më afatgjate.
“Po, është një mundësi e mirë. Neve në kompaninë tonë e kemi pasur në plan që të nisim rritjen e pagave nga janari, edhe pse kemi ulje të fitimit pas që janë shtrenjtuar të gjitha por mendoj se ky subvencionim do të jetë lehtësim. Por, qeveria, gjegjësisht ministria e financave ta shoh subvencionimin më afatgjatë, e jo vetëm për tre muaj”, tha ai.
Ekonomistët: Kjo kërkesë e Qeverisë, tek shumë biznese nuk do të jetë e realizueshme
Edhe kryetari i Aleancës së Bizneseve, Agim Shahini, thotë se bizneset nuk kanë pasur fitime edhe pse janë rritur çmimet.
“Nëse i shikojmë statistikat e të hyrave TVSH, akcizës doganës, ne i kemi këto të hyra pothuajse mbi 30% më shumë se në vitin e kaluar. Kur të analizohen këto të hyra nuk janë rritë për shkak të konsumit, por për shkak të rritjes së çmimeve. Për t’i stimuluar bizneset, qeveria duhet që së paku të marrë modalitet siç kanë marrë disa shtete, siç është Maqedonia, ku i përcakton çmimet tavan për disa produkte esenciale e përgjysmon TVSH-në dhe i subvencion bizneset dhe pagën për gjashtë muaj për punëtorët e rin. Kurse për punëtorët aktual që ju rritet paga t’i subvencion 50% të pagës, e jo të rritjes, pohoi Shahini.
Ai, thekson se kjo do të ishte stimuluesi më i mirë dhe nxitës për të ndihmuar ekonominë dhe biznesin, si dhe për të rritur konsumin dhe fuqinë konkurruese.
Me deklaratën e ministrit të Financave, Hekuran Murati nuk po pajtohet as ekonomisti Mustafë Kadrija.
“Ministri nuk ka drejt të deklarohet në atë mënyrë. E para nuk ka dhënë as një kontribut që bizneset të fuqizohen dhe të ndikojnë në rritjen e pagës tek sektori privat. Por, sidoqoftë bizneset si rezultat i fuqisë punëtore kanë reflektuar në rritjen e pagës. Problemi është vetëm te sektori publik dhe po ashtu qeveria dhe ministri Murati nuk ka të drejtë në këtë mënyrë të ndikojnë tek bizneset, sepse ne jetojmë në ekonominë e lirë dhe bizneset në bazë të fuqisë së aktiviteteve ekonomik dhe në bazë të hyrave që kanë në bazë të realizimit të aktivitetit të tyre biznesore, e parashohin edhe rritjen e pagës”, thotë Kadriaj.
Sipas tij, qeveria duhet të veprojë në forma tjera.
“Qeveria duhet të rritë pagën minimale. Me përkrahjen dhe subvencionimin e bizneseve, natyrisht dhe bizneset fuqizohen dhe tentojnë t’i rrisin pagat. Por, në këtë mënyrë qeveria nuk ka të bëjë me ekonominë e tregut. Kjo qeveri është tu e dëshmuar që është praktikante në qeverisje dhe kjo është e mirë për këtë qeveri që këta janë tu marrë praktikë, por është e dëmshme për ekonominë e vendit”, thekson Kadriaj.
Sipas tij, nuk është e vërtet se bizneset janë duke fituar, pasi siç thotë ai, bizneset janë duke kaluar ditët më të vështira të të bërit biznes.
“Qeveria është t’u i vjelur bizneset si në doganë e si në tatime po ashtu edhe përmes konsumit.”, shprehet ai.
Ndërsa, ekonomisti Burim Berisha, thotë se kjo kërkesë te shumë biznese nuk do të jetë e realizueshme, pasi sipas tij bizneset nuk kanë pasur rritje të fitimeve.
“Këtë vit kanë pas shumë më pak fitim, ndoshta qarkullimi ka qenë më i lartë po për shkakun se inflacioni i ka rritur edhe çmimet në vendet ku importohen këto produkte. Nuk dihet në bazë të cilave analiza dhe statistika ministri i Financave ka konstatuar se biznesi sivjet ka punuar me fitime kur bilancet mbyllen me 31.12.2022 e raportohen deri me 31.03.2023”, thotë Berisha.
Sipas tij, shumë biznese po e kanë problem pagesën e kontributeve, e nuk vjen në shprehje për rritje page.
“Kjo formë përmes bizneseve do të jetë pak e realizueshme apo fare, një nga arsyet pse është se shumë punëtor e marrin pagën kesh, jo në llogari bankare për me vërtetu se a ka vepruar pronari drejt me rritje apo e ka pasur vetëm sa për ti fituar disa mjete”, përfundon ai.
Ndryshe, në shtator të këtij viti, Qeveria e Kosovës mori vendim për një pako të re ndihmese, ku ndër to është përfshirë edhe pako për bizneset, nëse ato rrisin pagat për punëtorët e tyre, për 3 muajt e ardhshëm, Qeveria do subvencionojë gjysmën e rrogës së rritur.
“Qeveria ka paraparë që të mbështesim dhe të subvencionojmë të gjitha bizneset në këtë kohë rrisin pagat për punëtorët e tyre dhe ne i ftojmë qysh tani, që të fillojnë nga ky muaj, dhe për 3 muajt e ardhshëm do të ketë mbështetje dhe u bëj thirrje bizneseve njëkohësisht, por edhe punëtorëve, që të diskutojnë me punëdhënësit e tyre dhe të kërkojnë që kjo rritje të bëhet, sepse shteti do të subvencionojë gjysmën e rritjes së pagës së tyre, pra për 3 muajt e ardhshëm”, kishte thënë ministri Murati në një konferencë për media bashkë me kryeministrin, Albin Kurti./arbresh.info/ Vjollca Gajraku/
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...