Ngritja e aktakuzave, mbajtja e proceseve gjyqësore dhe në fund lirimi nga aktakuzat, sidomos në rastet kur janë të përfshirë zyrtarë shtetëror, po vlerësohet se vjen si shkak i performancës së ulët të punës nga prokurorët dhe gjykatësit, por edhe si ndikim dhe ndërhyrje nga politika dhe grupet e interesit sistemin gjyqësor në Kosovë.
Vetëm gjatë këtyre ditëve, në tri procese të rëndësishme gjyqësore, në të cilat janë të përfshirë zyrtarë të lartë shtetëror dhe biznesmen të ndryshëm, janë liruara nga aktakuza.
Gjykata Themelore e Prishtinës të martën liroi nga akuza katër ish-ministra të Qeverisë Thaçi 2, Mimoza Kusari Lila, Nenad Rashiq, Besim Beqa, Dardan Gashi si dhe Fllanza Hoxha e Arben Gjuka, të cilët akuzoheshin nga Prokuroria Speciale për korrupsion në rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”.
Në mungesë provash Gjykata Themelore e Prishtinës vendosi t’i lirojë nga të gjitha pikat e akuzës edhe kryeinspektorin dhe tre inspektorët nga Prizreni të Ministrisë se Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilët ishin arrestuar një vit më parë në mënyrë spektakulare në vendin e punës.
Njëjtë u liruan nga aktakuza edhe 16 të akuzuar në rastin e njohur si “Toka 3”.
Të gjitha këto raste ndodhën në këtë javë, më saktësisht brenda dy ditëve, të hënën dhe të martën e javës që po lëmë pas.
Aktakuzat e dobëta, performanca e ulët e punës e prokurorëve dhe gjykatësve, vlerësohet nga njohës të çështjeve të drejtësisë se mund të jenë disa nga arsyet pse në Kosovë shpesh ndodh që të akuzuarit për korrupsion, e që në të shumtën e rasteve janë zyrtarë shtetërorë, të lirohen nga akuzat dhe të ‘pastrohen’ nga pluhuri i korrupsionit që bie mbi ta.
Instituti i Kosovës për Drejtësi, nga monitorimet e shumta, vlerëson se një ndër arsyet kryesore e dështimit të këtyre rasteve, është cilësia e dobët e aktakuzave që ngritën nga prokurorët.
IKD: Arsyet kryesore të lirimit të të akuzuarve janë cilësia e dobët e aktakuzave dhe zvarritja e rasteve në gjykatë
Hulumtuesi nga IKD, Ramiz Krasniqi, thotë për arbresh.info se ka edhe mungesë të profesionalizmit të prokurorëve dhe gjykatësve, ku sipas tij, nga gabimet e tyre në aktakuza, zvarriten rastet dhe më pas të pandehurit lirohen nga akuzat.
“Një nga arsyet kryesore është cilësia e dobët e aktakuzave dhe zvarritja e rasteve në gjykatë. Kjo ka bërë që deri më tani të mos kemi një aktgjykim të formës së prerë më të cilin është dënuar ndonjë zyrtarë i profilit të lartë. Nga rastet e monitoruara deri më tani shihet se ka mungesë të profesionalizmit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, mirëpo ajo që është evidente janë gabimet e shumta që bëhen nga ana e prokurorëve kur ngritin këto aktakuza, gabime këto që reflektohen në papranueshmërinë e provave kryesore e kjo na shpie pastaj deri tek lirimi i të akuzuarve nga ana e gjykatave”, pohon Krasniqi.
Po ashtu, sipas tij, shumë raste zvarriten dhe më pas kjo zvarritje paraqet pasoja që ndikojnë që këto raste të parashkruhen dhe mos të ketë një epilog të rasteve të profilit të lartë.
Krasniqi thekson se kur ndodhin raste të tilla, që në të shumtën e rasteve sipas tij ndodh për shkak të neglizhencës së prokurorëve dhe gjyqtarëve, atëherë është normale që qytetarët mos t’i besojnë sistemit të drejtësisë.
“Natyrisht, në momentin kur të akuzuarit lirohen bie besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë në përgjithësi. Deri më tani nuk ka asnjë vendim të formës së prerë me të cilin është dënuar dikush nga profili i lartë dhe kjo ndikon direkt në besueshmërinë e qytetarëve në gjyqësor. Epilogu pa dënime konkrete i shumë rasteve është si rezultat i një pune jo efikase të prokurorisë kurse në disa raste si rezultat i neglizhencës ose i punës jo të mirë të gjykatave”, pohon Krasniqi.
Ai thekson se rasti “Aferën e Hidrocentraleve” edhe ashtu ishte pothuajse në prag të parashkrimit.
“Sa i përket përgjegjësisë së gjykatave në trajtimin e këtyre lëndëve mund të konstatojmë se vonesat në caktimin e seancave dhe shtyrja e paarsyeshme e gjykimeve, jo në pak raste ka rezultuar në parashkrimin e veprave penale duke pamundësuar kështu dënimin e kryerësve. Shembull për këtë është rasti “Afera e Hidrocentraleve”, ku edhe pse të akuzuarit janë liruar nga akuzat prapë se prapë rasti i njëjtë vetëm se pothuajse ka arritur parashkrimin, duke i pamundësuar në këtë mënyrë prokurorisë shfrytëzimin e mjeteve juridike për atakimin e vendimit të shkallës së parë, kjo pasi që parashkrimi absolut për të akuzuarit në këtë rast është 8 maji i vitit 2023”, shprehet Krasniqi për arbresh.info.
Damati: Problemi është tek ndërhyrjet e jashtme në sistemin e drejtësisë dhe tek dështimi i grumbullimit të provave
Për avokatin Musa Damati, arsyeja kryesore që qëndron prapa lirimit nga akuzat dhe mos dënimit të zyrtarëve të lartë shtetëror, janë ndikimet e ndërhyrjet nga politika dhe grupet e interesit, të cilat, sipas tij ndikojnë në uljen e performancës për sistemin gjyqësor në Kosovë.
“Rastet e tilla të shqyrtimeve gjyqësore që ndërlidhen me profilet e larta në Kosovë, duke u bazuar në praksën gjyqësore në shumë raste po dështojnë dhe atë pikërisht për arsye të performancës së dobët të organit të akuzës. Sistemi gjyqësor në Kosovë ka nevojë definitivisht për një performancë më të mirë, e cila e bën atë imune nga çdo ndikim eventual i jashtëm, e në veçanti nga ndikimet politike dhe te njerëzve apo grupeve të interesit të cilat kanë fuqi te madhe financiare në vend”, shprehet Damati për arbresh.info.
Sipas tij, problemi nuk qëndron te niveli i ulët i profesionalizmit në institucionet kompetente juridike, por tek ndërhyrjet e jashtme në sistem në radhë të parë, gjithashtu edhe tek dështimi i grumbullimit të provave dhe deklarimet e njëanshme të dëshmitarëve.
“Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke u bazuar në përvojën e punës sime si avokat me këto dy instanca, e them me përgjegjësi të plotë se të njëjtat përbëhen nga nivelet me elitare profesionale në Kosovë, por se problemi qëndron diku tjetër, dhe atë ndoshta tek ndërhyrjet e jashtme te cilat mund të shfaqen gjatë proceseve te mëdha gjyqësore, pastaj problemet esenciale që kanë të bëjnë me grumbullimin e provave dhe objektivitetin e dëshmitarëve, dhe shumë faktorë të tjerë”, thekson Damati.
Ndërkohë të premten është liruar nga akuza edhe Sadri Ramabaja, i cili në rastin e njohur si “Syri i Popullit”, akuzohej se kishte ndihmuar të akuzuarit në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë.
Ndryshe, sistemi i drejtësisë vazhdimisht ka pasur kritika për dështimin në ngritjen e aktakuzave kundër profilit të lartë. Po ashtu, shumica e aktakuzave kur të akuzuarit janë zyrtarë të profilit të lartë ose përfundojnë me hudhje ose me lirim nga aktakuza për të akuzuarit. /arbresh.info/ Emir Abduramani/
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për...
Nisma sot mban konventën për prezantimin e programit dhe kan...
“Gati shqipe!”, Rama, sot takim me shqiptarët në...
Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju
Stuhitë shkaktojnë kaos në Irlandë, Francë dhe Britani të Ma...
Gresa pyet banorët nëse janë të lumtur – Vullneti befason me...