Çka premtoi, e çka realizoi Përparim Rama gjatë qeverisjes njëvjeçare me Prishtinën?

09:02 | 12 Nëntor 2022
A. B.

Tashmë janë bërë një vit nga ardhja e Përparim Ramës në krye të qeverisje komunale në Prishtinë.

Opozita vlerëson se 1 vit i qeverisjes së Prishtinës nga Rama është humbje e madhe për qytetarët e kësaj komune.

Megjithatë, analistët nuk e shohin aq keq punën njëvjeçare të Ramës në krye të Prishtinës.

VV: Qeverisja e Ramës qeverisje kozmetike dhe sipërfaqësore

Partia opozitare më e madhja në qeverisjen e Prishtinës, Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se për një vit pune të qeverisjes së LDK-së me kryeqytetin, nuk është parë ndonjë ndryshim i prekshëm për qytetarët .

Shefi i Grupit te asamblistëve nga radhët Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla për arbresh.info thotë se deri tash  nuk është parë të nis apo të zhvillohet ndonjë projekt me të cilët ka garuar dhe ka fituar zgjedhjet Përparim Rama.

Sveçla. thotë se është e qarte se fokusi i kësaj qeverisje është i orientuar ka tenderomania, ka konsulencat, ka punësimet partiake e familjare.

“Qeverisja e Përparim Ramës gjatë vitit të parë është qeverisje kozmetike dhe sipërfaqësore. Nuk ka ndonjë ndryshim të prekshëm për qytetarët. Ka shumë demagogji, papërgjegjësi, dhe tendencë përvetësimi të meritave për projekte që lidhen me nivelin qendror ose që kanë filluar nga koha e qeverisjeve të kaluara. Asgjë nga ato çfarë u premtua, për këto 11 muaj qeverisje, nuk u realizua. Kishim kungja, tash kemi gilindera, kishim kapje të ndërmarrjeve nga PSD tash kemi kapje brutale nga LDK e PDK, kishim ngecje e tash kemi prapakthim. Është e qarte se fokusi i kësaj qeverisje është i orientuar ka tendoromania, ka konsulencat, ka punësimet partiake e familjare”,  ka thënë Sveçla

Sipas Sveçlës, ky vit është vit i dështuar dhe i humbur për qytetin e Prishtinës.

“Është vit i humbur për qytetin, për Prishtinën, dhe nga ajo çfarë kemi pare dhe çfarë na është ofruar gjasat dhe mundësitë janë shumë të mëdha që të ngjashme do të jenë edhe vitet në vazhdim”- u shpreh shefi i grupit te asamblistëve nga radhët Vetëvendosjes.

Berisha: Nuk ka transparencë nga Përparim Rama

Analisti politik Ridvan Berisha, thotë se nuk është marrë aktivisht me projektet e qeverisjes së Komunës së Prishtinës, mirëpo, sipas tij deri tash nuk është parë ndonjë punë impresive që ka lënë gjurmë në memorien e tij për sa kohë që Rama është kryetari i Prishtinës.

“Nisje të veprave madhore ende nuk kam parë, ndoshta i kanë në procedurë, por që për publikun besoj që mbeten ende të panjohura”, u shpreh Berisha për arbresh.info.

Ai e akuzon Ramën për mos transparencë, duke shtuar se deri tash ka munguar një gjë e tillë nga i pari i Prishtinës

Berisha veçon nënkryetarin e komunës, Alban Zogaj për të cilin pati fjalë të mira rreth punës së tij.

Sipas tij, Rama ende qeverisë me idenë që Prishtina është një lëmsh i madh dhe kjo është një prej arsyeve të punës së ngadalshme në kryeqytetin e Kosovës.

“Rama ende qeverisë me idenë që Prishtina është një lëmsh i madh sa që ndoshta edhe ka problem edhe nga t’ia nisë, edhe pse gjatë fushatës dukej mjaftë e përgatitur për plane dhe operime në komunën e Prishtinës”, përfundon Berisha.

Instituti GAP: Nga 206 premtime, deri tash janë përfunduar vetëm 7 prej tyre

Sipas instituti GAP, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë gjithsej 206 premtime, ndërsa deri më tani ka arritur t’i përfundojë veç 7 prej tyre, 12 prej tyre ka lënë në gjysmë, 38 ka filluar si dhe 149  prej këtyre premtimeve ende nuk i ka filluar.

7 premtimet e realizuara deri më tani nga Përparim Rama janë në drejtori të ndryshme, si në administratë, arsim, kulturë, shërbime publike, sociale dhe sport.

38 premtime të tjera deri më tani vetëm kanë filluar, ndërsa ka kohë që të realizohen, kurse 149 të tjera ende nuk kanë filluar.

Ndërkohë, më 28 tetor me vendim të Përparim Ramës është bërë testimi i unazës qendrore në qarkore njëkahëshe në Prishtinë, gjatë së cilës u krijuan tollovi e kolona të gjata që dërguan në bllokimin e kryeqytetit.

Testimi nuk u mirëprit nga qytetarët, të cilët me orë të tëra kishin mbetur në kolona.

Në lidhje me këtë, pati reaguar Rama, duke thënë se ndoshta ishte njeriu më i urryer në kryeqytet atë ditë.

Testimi zgjati për tre ditë (Të premten, shtunën dhe të dielën), ndërsa kolonat e gjata ishin më të theksuara në orët e mëngjesit.

Ndryshe, Përparim Rama kishte fituar garën si kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke mposhtur kundër-kandidatin e tij nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia.

Rama më 14 nëntor arriti t’i fitojë shumicën e votave në raundit e dytë zgjedhor të zgjedhje lokale, ku ka arritur ti marrë mbi 40 mijë vota, apo 51.07%.

Para se të bëhej kryetar i kryeqyteti, Rama  ishte ligjërues në fakultete të ndryshme botërore, ndërsa është anëtar i asociacionit të Arkitektëve të Britanisë. “Arkitekti i Kryeqytetit” është i lindur në Prishtinë, me prejardhje nga Gollaku./ arbresh.info/Kasim Gërbeshi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme