Buxheti 2023 në Shqipëri mbështet 9 programe për bujqësinë dhe zhvillimin rural

09:36 | 10 Nëntor 2022
Vjollca Gajraku

Buxheti i vitit 2023 adreson një total financimi prej 14.2 miliardë lekë për zbatimin e politikave të qeverisë në mbështetjen e 9 programeve për zhvillimin e bujqësisë, zonave rurale, agrobiznesin, agroturizmin, sigurinë ushqimore, teknologjinë dhe mekanizimin e deri tek peshkimi.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, gjatë fjalës së saj dje në Kuvend dha detaje mbi këto nëntë programe të rëndësishme, me fokus mbështetjen e fermerit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë rurale.

“Zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë dhe i zonave rurale; Zhvillimi i qëndrueshëm i peshkimit dhe ekonomisë blu; Siguria Ushqimore; Zhvillimi i kapaciteteve administrative dhe institucionale; Bashkëpunimi i aktorëve; Inovacioni dhe Digjitalizimi, janë disa nga këto politika që ne do t’i zbatojmë me programin e qeverisë në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural, ndërthurur me sektorë të tjerë si infrastruktura, turizmi, shërbimet, për nxitjen e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, rritjen e konkurrueshmërisë, ujitjes dhe mbrojtjes nga përmbytja, përmirësimin e standardeve të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së konsumatorit”, tha ministrja.

Krifca veçoi si një nga programet më të rëndësishëm, atë të zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë dhe zonave rurale, me një buxhet prej 8.7 miliardë lekë, ku 7.2 miliardë lekë shkojnë në mbështetje të bujqësisë dhe përkatësisht: 3.3 miliardë lekë mbështetje e drejtpërdrejtë me 1.98 miliardë lekë për masat mbështetëse në skemën kombëtare dhe 1,33 miliardë për naftën falas për bujqësinë.

Gjithashtu, tha ministrja, fondeve buxhetore i shtohet edhe financimi i huaj, si mbështetje e drejtpërdrejtë për fermerët me 3.9 miliardë lekë, që mundësohet përmes granteve nga programi IPARD.

Ajo theksoi se, në funksion të mbështetjes, po punohet për ngritjen e një skeme mbështetje që do të ruajë qëndrueshmërinë e sektorit, parë edhe në këndvështrimin e sigurimit të furnizimit me ushqime, por edhe mbështetjen për eksportet e produkteve. Ndërsa skema e naftës falas për bujqësinë do të vijojë të ulë kostot e prodhimit për fermerët tanë.

Ministrja vuri në dukje se në këtë program, komponent tjetër shumë i rëndësishëm është edhe mbështetja për fermerët dhe subjektet agropërpunuese, duke synuar një sektor bujqësor më fleksibël dhe të larmishëm që kontribuon në objektivat mjedisore dhe klimatike si dhe forcon strukturën socio-ekonomike në zonat rurale.

“Ky buxhet do të shërbejë për nxitjen e investimeve në fermë, blerje pajisjesh e makinerish, diversifikim të biznesit dhe fermave, përpunim të produkteve bujqësore e blegtorale për të ndikuar thellësisht në përafrimin me standardet me BE në fermë dhe agropërpunim si parakusht për integrimin e bujqësisë”, tha ajo.

Krifca veçoi se me këto dy komponentë të mbështetjes, synohet rritja e prodhimit primar dhe eksporteve për produktet me potencial dhe avantazhe konkurruese, rritja e produktivitetit dhe fuqizimi i fermave të mëdha, mekanizimi dhe teknologjitë inovative, por edhe formalizimi i fermerëve.

“Ky prioritet mbështetet në orientimin e bujqësisë sonë drejt rritjes së eksporteve në 1 miliard dollarë brenda vitit 2030”, tha ministrja.

Ajo u ndal edhe tek nevoja për digjitalizimin e shërbimeve.

“MBZHR ka hapur një kantier të rëndësishëm i cili synon përmirësimin në mënyrë rrënjësore të grumbullimit, ruajtjes, qarkullimit dhe përditësimit të informacionit në nivel jo vetëm rajoni dhe qarku, por ferme, dhe fermeri”, tha Krifca, ndërsa evidentoi vlerësimet pozitive në Raportin e fundit për Shqipërinë nga Komisioni Evropian në adresë të bujqësisë, veçanërisht me krijimin e Regjistrit të Fermave.

“Strukturat tona vijojnë të punojnë për pasurimin e tij, ku deri me sot janë regjistruar mbi 100 mijë ferma me një kod unik ku regjistrohen të dhëna për secilën fermë, listën e parcelave në përdorim, listën e mekanikës bujqësore në përdorim dhe aksesin në financë që kanë përfituar fermerët. Bazë e domosdoshme për të krijuar dhe regjistrin e kontabilitetit të fermës, kusht për integrimin në BE. Po punojmë për digjitalizimin e aplikimeve dhe administrimit të Programit IPARD që të lehtësojmë administrimin e çdo aplikimi deri në përfundim të investimeve. Këta janë vetëm 2 nga nismat madhore në fushën e digjitalizimit, me të tjera nisma në fushën e blegotorisë apo në sigurimin e zinxhirit të produktit nga ferma në tavolinë”, deklaroi Krifca.

Ministrja tha se, Programi i Sigurisë Ushqimore në vitin 2023 do të ketë një mbështetje 2.2 miliardë lekë për Garantimin e Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjen e Konsumatorit (5% më pak krahasuar me buxhetin fillestar 2022).

“Siguria ushqimore është prioritet i qeverisë shqiptare, ndaj do të investojmë në kapacitete, në përmirësimin e analizave dhe kontrolleve, në gjurmueshmëri, higjienë dhe paketim. Ne gjithashtu do të rrisim sigurinë ushqimore drejt standardeve europiane me laboratorë modernë dhe trajnim kapilar të burimeve njerëzore. Në vitin 2023 me financim të Bankës Botërore, do të fillojmë një projekt të ri për sigurinë ushqimore, ku me 25 milionë USD për vitet 2023-2027 do të modernizojmë dhe fuqizojmë laboratorët e ISUV dhe të AKU, si dhe do të përmirësojmë kushtet teknike në Pikat e Inspektimit Kufitar”, deklaroi ministrja.

Ajo theksoi se do të vijojë matrikullimi i blegtorisë falas, gjurmimi i të gjithë kapacitetit tonë blegtoral si pasuri kombëtare, si dhe do të vijohet me vaksinimet sipas programeve të miratuara nga ministria.

Gjithashtu, vuri në dukje ministrja, me një buxhet prej 2.1 miliardë lekë, do të mbështeten investime në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit me 23% më shumë se ky vit që po lëmë pas.

“Ne do të vijojmë të mbështesim sektorin e Peshkimit me synim rritjen e prodhimit të produkteve peshkore dhe eksportet”, deklaroi ministrja.

Sipas saj, objektivi është shtim të kapacitetit ankorues në portin e Durrësi, që lehtësojnë procedurat e zbarkimit të produkteve peshkore të anijeve të peshkimit; Ndërtimi i tregjeve të reja për produktet peshkore, do të rrisin sasinë, cilësinë, sigurinë dhe gjurmueshmërinë e këtyre produkteve duke i bërë ato më atraktive si në tregun e brendshëm, ashtu dhe për tregjet ndërkombëtare.

Krifca u bëri apel fermerëve, që të gjitha masat e marra, të përmendura nga qeveria, përbëjnë një konfirmim të mbështetjes së madhe për ta, me një dëshmi të fortë mbështetjen e dhënë në të gjitha vitet e fundit, kur kjo qeveri është thirrur përpara situatave jo të lehta.

“Edhe në bujqësi, qasja nuk ka si të jetë ndryshe. Jo vetëm me mbështetje të buxhetit, por përmes mobilizimit të çdo instrumenti të mundshëm në shërbim të fermerëve dhe agroindustrisë, ne duam të injektojmë para në ekonomi, të nxisim investime dhe të sigurojmë që fermeri shqiptar ka hapësira financimi të shumëfishta”, tha ministrja.

Ne tre vite, theksoi ajo, Programi IPARD deri në nëntor 2022 ka mobilizuar investime prej 182.23 milionë euro në ekonomi.

Gjithashtu vijoi ministrja, Fondi i Garancisë Sovrane i qeverisë shqiptare dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ka disbursuar deri në fund të muajit tetor të këtij viti 84 milionë euro.

Ndërsa mbështetja për peshkimin nga fondet IPA 2016 ka qenë në masën 1.5 milionë euro në 3 thirrje për investime në anijet e peshkimit në portet e Sarandës, Vlorës, Shëngjinit dhe Durrësit.

“Vënia në dispozicion e të gjitha mundësive për fermerët apo peshkatarët, për qytetarët që duan të zhvillojnë sipërmarrjet e tyre në bujqësi është prioritet për ne. Ndaj, ky projektbuxhet është një buxhet për këta njerëz, për rezistencën e përbashkët ndaj ekonomisë se paqëndrueshme, por edhe për zhvillimin. Për qendrueshmërine e sistemeve të prodhimit, rritjen e konkurrueshmërisë, rritjen diversifikimit të fermave dhe të agroturizmit të cilin e kemi mbështetur fort, promovuar fort e të cilin do vijojmë ta mbështesim si pikë tërheqje për të afruar rininë me punët e fshatit, energjizimin dhe rivitalizimin e zonave të thella rurale, për të çuar mirëqenie ekonomike dhe shpresë”, deklaroi Krifca.

Ministra theksoi se, “mbështetja mesatare vjetore për fermerët në qeverisjen e opozitës deri në vitin 2013 ka qenë mesatarisht 893 milionë lekë në vit. Ndërsa qeveria socialiste nga 2014 në 2022 arrin mesatarisht 4 miliardë lekë dhe në vitin 2023 mbështetja për bujqësinë është rritur në 7.2 miliardë lekë”./atsh/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme