Seanca e sotme nisi me replika të ashpra mes deputetëve të opozitës dhe kryeministrit Edi Rama lidhur me projektin e Portit të Durësit, i cili u fut me procedurë të përshpejtuar në Kuvend.
Kryeministri Rama deklaroi se me buxhetin e ri borxhi publik parashikohet të ulet nga 68.8 për qind në 67.5 për qind.
Sipas tij buxheti i vitit 2023 është sa dyfishi i atij të vitit 2013. Buxheti siguron mbrojtjen e familjeve nga goditja e çmimit të energjisë, dy rritje të pagës minimale në 36 dhe 38 mijë lekë çdo gjashtë muaj.
Rritja e pagave do të vazhdojë për punonjësit e arsimit, të shëndetësisë dhe për zjarrfikësit, si dhe për ushtarakët.
“Kontrolli mjekësor bazë do të vazhdojë për një numër të konsoliduar qytetarësh. Do të vazhdojnë programet e diagnostikimit të hershëm për tumoret, që prekin gratë dhe kontrollet periodike falas për mbi 490 mijë persona në vit. Trajtimi i sëmundjeve kronike dhe të impaktit post covid vijon me rimbursim të barnave përmes një rritje të konsiderueshme të financimit të skemës së rimbursimit”, tha kryeministri Rama.
Ai tha se buxheti parashikon për herë të parë një program kuotash ushqimore dhe financiare për nxënësit me nevoja të veçanta si dhe një fond shtesë për të garantuar transportin e mësuesve, të gjithë atyre që punojnë në një distancë më të largët sesa ajo e aksesueshmja me urban nga vendbanimi.
“Bujqësia përfiton volumin më të madh të financimit ndonjëherë dhe një skemë kombëtare e mbështetjes direkte për fermerët me 1.97 miliardë lekë. Fillon zbatimi i skemës së mbështetjes nga financimi i programit IPARD 3, ku janë në dispozicion 3.9 miliard lekë”, tha zoti Rama.
Ai tha se biznesi i vogël ka zero taksa, zero tvsh, zero tatim fitimi. Buxheti parashikon mbështetje në vazhdimësi për familjet dhe individët që janë në skemën e ndihmës ekonomike, personat me aftësi të kufizuar, nënat me dy apo më shumë fëmijë si dhe për të moshuarit mbi 65 vjeç që nuk marrin pension social apo pension shoqërie.
Për nënat e papuna me tre dhe më shumë fëmijë, do të paguajmë sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore duke e konsideruar punësim me kohë të plotë pasjen e tre fëmijëve apo më shumë ndër të cilët fëmijë nën moshën 5 vjeç. Bonusi i bebeve dhe bonusi i fundvitit për pensionistët, si dhe indeksimi i pensioneve.
Por opozita deklaroi se ky ishte projekt-buxheti i varfërisë dhe se qeveria klienteliste kujdeset më shumë për oligarkët pranë saj.
“Ky buxhet ka si emërues këmbënguljen deri në kokëfortësi që projektet korruptive të PPP që do vazhdojnë të paguhen edhe kur inflacioni të shkojë 8.3%. Do paguhen nga kursimet e çdo familje shqiptare që do të paguajë taksat, ashtu që qeveria të paguajë kontratat e PPP-ve që kanë klauzolë edhe indeksimin me normën e inflacionit”, tha deputetja Jorida Tabaku.
Ajo shtoi se rritja ekonomike aktuale është 2.2 për qind dhe parashikimet për rritjen ekonomike të Shqipërisë janë ndër më të ulëtat në rajon, duke dëshmuar një shtrëngim të ekonomisë dhe një ngadalësim të ekonomisë kombëtare.
Zonja Tabaku tha se qeveria socialiste ka rritur taksat dhe barrën fiskale, duke rritur informalitetin deri në 40% të ekonomisë.
Ndërsa borxhi publik, sipas saj, pa përfshirë PPP-të, u rrit sa 70% e Produktit të Brendshëm Bruto, pa përmendur që është rritur borxhin e fshehur në errësirë të plotë përmes fondit të rindërtimit dhe projekteve të tjera në formën e pagesave për punë të papaguara.
“Shqipëria ka mbi 40% të qytetarëve të saj që marrin nën 5 USD për frymë. Kjo tregon që varfëria po rritet gjithnjë e më shumë mes atyre shqiptarëve që punojnë dhe nuk dalin dot nga varfëria. Norma e inflacionit pritet për këtë vit, sipas FMN, që të shkojë në 6.24% duke rënduar gjithnjë e më shumë jetesën për shtresën e mesme por edhe të varfërit që në tavolinat e tyre të bukës, gjejnë gjithnjë e më pak ushqime dhe për të cilat paguajnë gjithnjë e më shtrenjtë”, tha zonja Tabaku.
Ajo shtoi se prodhimi vendas në ekonomi ka rënë me -0.6% pikë përqindje, duke shënuar një ngushtim të mëtejshëm të ekonomisë dhe rënie të të ardhurave. Zonja Tabaku tha se rënia vjetore e sektorit të ndërtimit ishte 5.2%, e po ashtu në rënie janë edhe industria nxjerrëse dhe energjia elektrike.
Banka Botërore parashikoi që rritja ekonomike e Shqipërisë do të ngadalësohet në 3.2 përqind nga rritja 3.7 përqind, që u parashikua fillimisht.
Për dy vitet e ardhshme, aktiviteti ekonomik pritet të zbresë më tej, respektivisht në 2.3 përqind në 2023-shin dhe 2.5 përqind në vitin 2024, niveli më i ulët në rajon.
Për vitin e ardhshëm qeveria shqiptare parashikon një rritje në nivelin e 2.6 përqind, ndërsa FMN-ja afro 2 përqind.
Sipas Bankës Botërore, inflacioni i lartë, i dukshëm veçanërisht në rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe kostove të transportit, do të ndikojë negativisht te qytetarët më të varfër, duke frenuar përparimin në uljen e varfërisë./VOA
Gmail me një funksion të ri për t’ju ndihmuar të gjeni më le...
Abdixhiku: Asociacioni aktual është autonomi – do ta refuzoj...
Shkon në 158 numri i të vdekurve nga përmbytjet në Spanjë
Peja pëson ndryshim në roster, largon dy basketbollistë afro...
Pse tufat e shpendëve krijojnë forma të çuditshme në qiell?
Reagon Ferizaj, publikon disa momente kontestuese sipas tyre...