Mehaj takohet me ekipin këshillues të NATO-s: Veprimet e Serbisë duhet dënuar

17:53 | 9 Nëntor 2022
E.H

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, i shoqëruar nga Zv.Ministri Syla, Zv.Ministri Redzeplar, Gjeneral Cikaqi dhe Zv.Sekretari Muçaj, sot priti në takim oficerët e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s të prirë nga Gjeneral Hoppe, këshilltarët bilateral ushtarak, si dhe atashetë e mbrojtjes rezidentë në vendin tonë.

Me këtë rast, Ministri Mehaj me autoritetet përkatëse diskutoi mbi situatën aktuale politike dhe të sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë.

Nga diskutimet e përgjithshme, theks të veçantë kishte çështja e sigurisë pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit, të cilat vijnë si rezultat i dezinformatave të vazhdueshme të Beogradit zyrtar, luftës hibride me qëllim destabilizimin e vendit, si dhe përdorimit të metodave të ndryshme të kërcënimit të pjesëtarëve të komunitetit serb për largim nga institucionet e Republikës së Kosovës, thuhet në njoftim.

Gjithashtu u theksua se ngritja e kapaciteteve ushtarake të Serbisë përgjatë kufirit me Republikën e Kosovës shpërfaq tendencat e një shteti armiqësor, që përveçse nuk dënon, përkrah e përdor metodat e agresorit rus, gjë që bie ndesh me normat dhe vlerat demokratike të cilat Republika e Kosovës si shtet evropian përqafon dhe mbron.

Veprimet e shtetit serb duhet dënuar nga çdo shtet evropian dhe më gjerë.

Ndër të tjera, Ministri Mehaj theksoi se Republika e Kosovës është jashtëzakonisht mirënjohëse për kontributin e shteteve aleate dhe misionin e KFOR-it, që si gjithnjë edhe në situatën aktuale janë duke treguar gatishmëri të jashtëzakonshme për të bashkëpunuar me Policinë e Republikës së Kosovës në ruajtjen e qetësisë, sigurisë dhe stabilitetit në veri të vendit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdoj të garantoj integritetin territorial, mbrojtjen e jetës së qytetarëve, dhe ofrimin e shërbimeve të institucioneve për të gjithë qytetarët pa dallim etnie” tha në fund Ministri Mehaj./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme