Reparti shqiptar elitë RENEA në trajnim 5-javor me Forcat Speciale amerikane

23:14 | 8 Nëntor 2022
KRG

Reparti Special elitë RENEA në Shqipëri dhe Forca Speciale Ushtarake amerikane “Green Berets” kanë përmbyllur një trajnim të përbashkët intensiv antiterrorizëm, njofton Policia e Shtetit.

Policia bën me dije se RENEA ka zhvilluar një trajnim 5-javor intensiv, të një shkallë të lartë profesionaliteti dhe ekspertize, së bashku me përfaqësues të Forcës Speciale Ushtarake amerikane.

Ky trajnim u zhvillua në ambientet e Repartit Special RENEA dhe në poligonin e distancave të largëta, në Bizë.

Trajnimi “JCET 2022” angazhoi, përmes lëvizjeve, metodave, reagimeve dhe manovrave të shumta, Njesinë e Snajperave, grupet taktike dhe seksione të tjera të Repartit Special RENEA.

Obektivi kryesor i këtij trajnimi ishte ofrimi i ekspertizës dhe i praktikave më të mira amerikane, për proceset e komandimit dhe kontrollit gjatë operacioneve policore komplekse antiterrorizëm.

“JCET 2022” u përqëndrua konkretisht në rolin dhe detyrën e Repartit Special RENEA gjatë situatave të luftimit në ambiente të hapura dhe të mbyllura, survejimit, targetimit dhe ekzekutimit të objektivit, si dhe në finalizimin me sukses të operacioneve policore në mjedise rurale, me vështirësi të shtuar të terrenit.

Përfaqësuesit e Forcës Speciale Ushtarake amerikane “Green Berets” vlerësuan profesionalizmin e treguar gjatë këtyre trajnimeve nga efektivët e Reparti Special elitë RENEA, si dhe shprehën gatishmërinë e plotë për ta asistuar me trajnime të mëtejshme Repartin Special, për aspekte të tjera të punës së tyre. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme