Presidenca i kërkon KQZ-së emrat për zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr serbë

17:14 | 8 Nëntor 2022
E.H

Presidentja e Republikës së  Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

Pas pranimit të kërkesës së kryekuvendarit për zëvendësimin e deputetëve serbë të dorëhequr,Osmani  ka kërkuar nga KQZ-ja rekomandimin e emrave për zëvendësimin e deputetëve të Listës Serbe.

Kjo u konfirmua për arbresh.info nga këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.

“Zyra e Presidentes ka pranuar kërkesën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z.Glauk Konjufca për zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr të Listës Serbe. Pas pranimit të kërkesës, Presidentja i është drejtuar KQZ-së për të pranuar rekomandimet e emrave për zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr “, tha Kupina.

Lista Serbe, më 5 nëntor, bëri të ditur se zyrtarët serbë do të largohen nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

Dorëheqje nga pozitat e tyre dhanë edhe kryetarët e komunave veriore të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme