Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret sot në takim liderët e partive opozitare

07:30 | 8 Nëntor 2022
Vjollca Gajraku

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ftuar liderët e opozitës për t’u takuar pas zhvillimeve të fundit në Veri.

Ftesës për takim sot në mëngjes i janë përgjigjur pozitivisht kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, si dhe Lumir Abdixhiku nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Kemi pranuar një kërkesë për takim nga kryeministri dhe kryetari i PDK-së Memli Krasniqi tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim”, tha Faton Abdullahu, zëdhënës i PDK-së.

Ndërsa sipas zëdhënësit të AAK-së, Lulzim Blakës, “tema e diskutimit është diskutimi për zhvillimet në vend, veçanërisht atyre në veriun e vendit”.

“Kryetari Haradinaj, ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim”, ka thënë Blaka.

Ftesës së këtij takimi i është përgjigjur edhe LDK.

Lajmin për arbresh.info e ka bërë të ditur zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK), Sibel Halimi.

“Po, Kryetari do te marrë pjesë në takim”, ka thënë Halimi.

Takimi mbahet në ora 08:00 në ndërtesën e Qeverisë./arbresh.info/

 

Të ngjashme