Kurti ndan 600 bursa për komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian të Kosovës

10:19 | 7 Nëntor 2022
A Z

Sot në Prishtinë ka filluar Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor me fokus të veçantë në të drejtat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Në këtë samit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para të pranishmëve tha se progresi i vendit nuk matet me të pasurit, por me ata që jetojnë në kushte të vështira ekonomike.

“Progresin në vend nuk mund ta matim me mënyrën se si jetojnë ata që kanë më së shumti, sepse siç dihet, ata ia bëjnë lehtë qarën vetes, por progresi i një shteti matet me ata që kanë më së paku, me mënyrën si jetojnë ata dhe si ia dalin përballë kushteve shumë të vështira ekonomike dhe sociale.” – tha Kurti.

Kurti theksoi se qeveria që ai drejton është e përkushtuar për të përmirësuar kushtet ekonomiko-sociale dhe harton politika për ta integruar çdo shtresë, ku përmendi bursat që qeveria ka ndarë për studentët romë, ashkali dhe egjiptian.

“Qeveria vazhdon përkushtimin për të përmirësuar kushtet ekonomiko-social për të gjithë, ku një nga objektivat më të rëndësishme është hartimi i zbatimit të politikave për integrimin e çdo shtrese.

Ne kemi ndarë bursa për 100 nxënës të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian për studim në fakultet të edukimit, në mënyrë që në ardhmen të kemi mësues dhe mësuese që japin kontributin e tyre për shumë gjenerata.

Ne kemi ndarë edhe 500 bursa për këto komunitete për drejtime tjera, pra krahas fakultetit të edukimit” – theksoi Kurti në samit.”

Ky samit rajonal synon të mbledhë bashkë krerët e qeverive të rajonit, për shkëmbim të përvojave dhe bashkëpunim për luftimin e racizmit dhe diskriminimit ndaj komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptin.

Samiti është organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës./arbresh.info/

 

Të ngjashme