Hill: Serbët të kthehen në institucione, Kosova të respektojë obligimet

07:38 | 7 Nëntor 2022
Vjollca Gajraku

Shtetet e Bashkuara pajtohen me Bashkimin Evropian që zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, rrezikojnë përparimin e rëndësishëm që është arritur në dialogun mes këtyre dy vendeve, nën ndërmjetësimin e bllokut evropian.

Kështu ka thënë të dielën ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.

Ai i ka bërë këto deklarata një ditë pas vendimit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për t’u larguar nga institucionet e Kosovës.

“Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar edhe më shumë tensionet. Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së në thirrjen që përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të veprojnë në përputhje me përkushtimet e bëra në dialog dhe që t’iu kthehen institucioneve të Kosovës, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratën lokale”, ka thënë Hill për televizionin N1.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme