Dugolli i drejtohet Haradinajt e Hotit: E keni pritur Listën Serbe gjashtë orë për formimin e Qeverisë, përgjigjur serbisht në Bruksel

21:21 | 6 Nëntor 2022
E.H

Deputeti i LVV-së, Enver Dugolli, i ka reaguar dy ish–kryeminsitrave, Ramush Haradinajt të AAK-së dhe Avdullah Hotit të LDK-së.

Dugolli përmes një postimi në Facebook thotë se Haradinaj e Hoti po deklarohen se Kosova ka të drejtën e plotë për çështjen e targave, ndërsa po kërkojnë që megjithatë të lëshohet pe.

Sipas Dugollit, asnjëri nuk ka qenë i arsyeshëm gjatë kohës kur ishin në karrigën e kryeministrit.

Për Haradinajn thotë se e ka pritur Listen Serbe, për gjashtë orë për formimin e Qeverisë, ndërsa për Hotin thotë se është përgjigjur serbisht në Bruksel.

“Dy ish-kryeministra të Republikës së Kosovës, një pas një po deklarohen se edhe pse Kosova është në të drejtën e saj, për shkak të presionit, që burim ka Serbinë, duhet të tërhiqet dhe të lëshojë pe. Njëri, e paraqet kryeministrin Kurtit si problem të sigurisë pa e thënë asnjë fjalë për kërcënimet e Vuçiqit dhe veprimet e grupeve kriminale në veri”, shkroi Dugolli.

“Tjetri flet për vitet e ’90 dhe për periudhën e para pavarësisë kur nuk ka pasur institucione të Republikës sikur të jetë situatë e njëjtë edhe sot në vitin 2022. Pra, njëri e paraqet Qeverinë e Republikës së Kosovës si problem. Tjetri flet sikur mos të kishte Republikë. E përsëris edhe një herë. Të dy këta persona, kanë qenë kryeministra të Republikës. Njëri duke pritë gjashtë orë Listën Serbe për formimin e Qeverisë. Tjetri, që përgjigjej serbisht në Bruksel”, u shpreh ai.

“Meqë e kemi parë se si na kanë përfaqësuar deri tash, imagjinoni se si do ishim po të ishin ende në ato pozita”, përfundoi Dugolli./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme