Janë bërë dy muaj që kur Policia e Kosovës ka mbetur pa drejtor.
Kjo pasi më 30 gusht të këtij viti, ish -Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dha dorëheqje nga posti i tij pas skandalit me rastin e dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë.
Dorëheqja e Mehmetit, sipas ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla kishte ardhur për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale, pas rastit të fundit të dhunimit të 11-vjeçares më 27 gusht 2022, në një park të kryeqytetit.
Që nga ajo ditë, institucionin kryesor të sigurisë në vend e udhëheq ushtruesi i detyrës së drejtorit të policisë, Fehmi Hoti.
Arbresh.info ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Brendshme, për të kuptuar se ku ka shkuar procesi dhe pse po zvarritet zgjedhja e drejtorit të ri, por nuk ka marrë asnjë përgjigjur rreth kësaj çështje.
Të rrezikshme po e cilësojnë ekspertët e sigurisë mbetjen e Policisë së Kosovës pa drejtor marrë parasysh gjendjen jo stabile në veri të Kosovës.
Njohës të çështjeve të sigurisë po e shohin si zvarritje të panevojshme zgjedhjen e drejtorit të ri të këtij institucioni kaq të rëndësishëm për vend.
Qalaj: Kjo zgjatje është e rrezikshme
Ish- drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, pohon se duke i marr parasysh gjendjen në Veri të Kosovës, kjo zgjatje është e rrezikshme.
“Duke i pasur parasysh zhvillimet në vend, me theks të veçantë në veri të vendit, mendoj që kjo zgjatje është e rrezikshme dhe se drejtori duhet të zgjidhet sa më shpejt ose në rast se ka ndonjë mangësi ligjore të anulohet konkursi dhe pastaj të përsëritët procesi që nga fillimi”, shprehet Qelaj për arbresh.info.
Tepër të vonuar përzgjedhjen e drejtorit të ri po e sheh edhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.
“Është dashur të zgjidhet shumë më herët, nuk ka ndonjë nevojë të shtyhet me muaj, sigurisht që ka kuadro të shkolluar dhe të aftë për ta udhëhequr atë post, ky proces ishte dashur të zgjidhej brenda dy javësh”, thotë ai.
Tërnava pohon se nëse merren parasysh rrethanat, shumë nga kandidatët të mund ta kryenin këtë detyrë me sukses, pasi sipas tij drejtorët po ndërrohen shpesh për arsye të ndryshme.
“Shumë nga kandidatët që kishin mundur ta kryenin këtë detyrë suksesshëm, nuk dëshirojnë të konkurrojnë për drejtor, sepse në praktikë po dëshmohet se drejtorët po ndërrohen shpesh për shkaqe të ndryshme. Ai drejtor kur të ndërrohet formalisht mund të llogaritet si zyrtar i policisë që është i devalvuar, i cili prapë duhet t’i kryej detyra tjera në atë institucion, i cili nuk e ka më atë autoritetin stoik që e ka pasur në detyrën e deritashme”, thekson ai për arbresh.info.
Njësoj si Tërnava mendon edhe ish- zëvendësministri i Brendshëm, Valdet Hoxha.
Ish-zëvendësministri Hoxha: Zvarritje e paarsyeshme, e panevojshme dhe me ndikim direkt në çështjet e sigurisë
Hoxha thotë se lënia pezull e këtij procesi është një zvarritje e paarsyeshme, dhe ndikon direkt në çështjet e sigurisë.
“Lënia pezull e këtij procesi për disa muaj dhe pa një afat të qartë se kur do të përfundojë, veçanërisht në situatën aktuale të aspektit të sigurisë në pjesën veriore të vendit tonë, është një zvarritje e paarsyeshme, e panevojshme dhe me ndikim direkt në çështjet e sigurisë”, thotë Hoxha për arbresh.info
Tutje Hoxha shton se përfundimi i këtij procesi dhe përzgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, është e natyrës urgjente, për shkak të funksionimit normal të këtij institucioni në mbarë territorin e vendit, por sidomos duke e pasur parasysh situatën e sigurisë në veri të vendit.
Ai pohon se Policia e Kosovës është një nga mekanizmat kryesorë të Sigurisë në vend dhe fakti se mbi tre muaj nga dorëheqja e ish Drejtorit të Policisë po udhëhiqet nga një ushtrues detyre, në radhë të parë tregon, pa përvojë menaxheriale dhe institucionale nga Qeveria.
“Në këto rrethana, udhëheqja e Policisë nga një ushtrues detyre, madje i cili edhe nuk ka aplikuar fare tani për pozitën e drejtorit të policisë, reflekton një brishtësi në kuptim të organizimit operacional të gjitha çështjeve policore dhe sigurisë dhe si e tillë, të paktën nuk është ndihmuese për situatën aktuale”, përfundoi ai.
Ndryshe, përzgjedhja e tyre për fazën e intervistimit që ende nuk dihet kur do të nisë, do ta bëjë komisioni i themeluar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Një ndër kandidatët për këtë pozitë është edhe serbja, Sllagjana Stojanoviq, shefe e administratës në rajonin e Mitrovicës.
Nga ana tjetër pozitën e kreut të këtij institucioni e synon edhe Gazmend Hoxha, Drejtor i Departamentit të Operacioneve, që përballë ka edhe drejtorin aktual të Teknikës Kriminalistike, Bahri Shala.
Përveç tyre pjesë e garës është edhe Fatos Haziri, ish-udhëheqës i Departamentit Kundër Krimit të Organizuar dhe Granit Fetahu, drejtor për Sigurimin e Objekteve dhe Personaliteteve./ arbresh.info/ Kujtesë Berisha/
Kurti mori pjesë në përurimin e Bibliotekës së re në Komunën...
Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde
Sveçla: Lufta ndaj krimit të organizuar nuk ka alternativë, ...
AVONET kërkon nga Komuna e Prishtinës anulimin e aktivitetit...
Osmani uron Republikën e Surinamit me rastin e Ditës së Pava...
Drita po bën “dritë” këtë sezon në elitën e futbollit kosova...