Google ADS

Dukagjini kthehet te fitoret, mposht me rezultat të thellë Malishevën

15:00 | 5 Nëntor 2022
A. B.

Dukagjini është rikthyer te fitoret pasi ka mposhtur Malishevën me rezultat të thellë 4-0.

Ka qenë një ndeshje shumë e barabartë mes dy skuadrave në pjesën e parë, por mysafirët mbetën me një futbollist më pak në fushë kur Bleart Tolaj u përjashtua me karton të kuq pas një goditje që i dha kundërshtarit.

Vendasit e shfrytëzuan mirë epërsinë numerike dhe në minutën e 45-të realizuan për 1-0, ku pas asistimit nga Otto John, Zulfiu dërgoi topin në rrjetë për 1-0.

Me epërsinë minimale të vendasve përfunduan 45 minutat e para në këtë sfidë.

Vendasit vazhduan dominimin edhe në pjesën e dytë, ku Otto John në minutën e 64-të shënoi me kokë për 2-0.

Të besuarit e Armend Dallkut nuk u ndalën në asnjë moment dhe në 10 minutat e fundit të ndeshjes realizuan edhe dy gola të tjerë.

Fillimisht ishte kapiten Altin Merlaku që realizoi një gol të bukur për 3-0.

E për golin final të kësaj sfide u përkujdes Morina që realizoi tre minuta para fundit të sfidës për rezultatin përfundimtar 4-0.

Me këtë fitore Dukagjini ngritët në pozitën e shtatë në tabelë me 15 pikë, sa ka edhe Malisheva.

Xhiron e ardhshme Dukagjini luan në udhëtim te Drenica, derisa Malisheva pret Prishtinën. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme