Qeset e plastikës në Kosovë vazhdojnë jepen falas në të gjitha dyqanet.
Duket se kjo do të vazhdojë të ndodh edhe gjatë vitit 2023, pasi deri tash nuk është ndërmarr asgjë serioze nga Komisionin për Mjedis në Kuvendin e Kosovës, ani pse ishte paraparë që nga janari i vitit 2023 të hyjë në fuqi ligji për ndalimin e qeseve plastike, apo edhe bërja e tyre me pagesë për konsumatorët.
Zëvendësministrja e Mjedisit, Linda Çavdarbasha në qershor të këtij viti, kishte deklaruar se nga 1 janari i vitit të ardhshëm, qeset plastike në Kosovë do të bëhen me pagesë.
Ajo pati thënë se tani duhet të punohet shumë në edukimin e qytetarëve për vetëdijesimin sa i përket pagesës së qeseve plastike.
“Bazuar në hulumtim dhe të dhënave nga Dogana dhe prodhuesit, ka dalë që tri opsione mund të jenë të përshtatshme për qeset plastike: 1. Që në mënyrë vullnetare qytetari të mos i marr qeset plastike në market; 2. Që të vendoset një taksë që qeset plastike të bëhen me pagesë; dhe 3. Që ato të largohen tërësisht nga tregu. Nuk kemi dashur që ta bëjmë këtë opsionin e tretë menjëherë, mirëpo fillimisht ta bëjmë opsionin me pagesë. Duhet të punojmë shumë në edukim dhe ndërgjegjësim të qytetarëve. Kemi filluar të shpërndajmë qese të biodegradueshme prej materialit në shesh të qytetit në Prishtinë. Duhet të punohet në pjesën e edukimit shumë por nuk mendoj se do të jetë problem pasi qytetar është i gatshëm ta pranojë këtë ndryshim”, ishte shprehur Çavdarbasha.
Ndërkohë, çështja e këtij ligji ende nuk ka shkuar as në Komisionin për Mjedis në Kuvendin e Kosovës.
Deputetja nga radhët e AAK-së dhe njëkohësisht anëtare në Komisionin për Mjedis në Kuvendin e Kosovës, Albena Rashitaj, thotë për arbresh.info se ende nuk është ndërmarrë asgjë, por pritet që të diskutohet javën e ardhshme në komision.
“Ende nuk është ndërmarr asgjë në lidhje me këtë. Javën e ardhshme pritet të mblidhet komisioni dhe besoj se do të diskutohet rreth kësaj çështjeje”, thotë ajo.
Lidhur më këtë çështje arbresh.info ka drejtuar pyetje edhe tek Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, por ky institucion nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.
A.Sh pensionist nga Prishtina thotë se sa herë që shkon në dyqan ushqimorë merr qese, pasi që i përdor ato si thasë për mbeturina.
“Qeset që i marr gjatë blerjes së ushqimit familja ime i përdor si thasë për mbeturina por edhe për gjësende tjera, bile marketet që mbajnë qese të vogla e më të dobëta aty nuk shkojë, sepse ndodhë pa shkuar hala në shtëpi ato qese dëmtohen”, shprehet ai për arbresh.info
Një praktikë e tillë nuk po shihet e mirë nga ambientalistët.
Ekspertët e mjedisit: Qeset e plastikës të bëhen me pagesë
Eksperti i mjedisit Luan Hasanaj thotë se qeset e plastikës duhen rreth 300 vjet për t’u degraduar.
Sipas tij, këto qese janë të vështira dhe të kushtueshme për t’u ricikluar.
“Qeset e plastikës janë të vështira dhe të kushtueshme për t’u ricikluar dhe shumica përfundojnë në vendet e deponive, ku u duhen rreth 300 vjet për t’u degraduar. Ato shpërbëhen në grimca të vogla toksike që ndotin tokën dhe rrugët ujore dhe hyjnë në zinxhirin ushqimor kur kafshët i gëlltisin aksidentalisht.
Prodhimi i qeseve plastike përdor kimikate (p.sh: benzeni ) që shkaktojnë sëmundje të ndryshme kancerogjene, dhe nënproduktet toksike që ndotin ajrin, ujin dhe tokën tonë”, thotë Hasanaj.
Sipas tij, zgjidhja e vetme është që të bëhen qeset me pagesë.
“Ne si OJQ e mjedisit mendojmë që rruga më e mirë duhet të jetë ofrimi i qeseve të tilla me pagesë në dyqane. Shitja e tyre është rruga e vetme e zgjidhjes së problemit, sepse eliminimi i tyre, në një afat të shpejtë, është gati i pamundur”, theksoi ai.
Por, bërja e qeseve me pagesë po i frikëson shitësit.
Ata mendojnë se nëse qeset e plastikës bëhen me pagesë, do u sjellin telashe me konsumatorët.
V.S shitës në një market të Prishtinës thotë për arbresh.info se nëse qeset bëhen më pagesë do të jetë e kushtueshme për qytetarinë.
“Nëse bëhen qeset me pagesë do të kemi më të vështirë sepse njerëzit nuk e shohin të arsyeshme të paguajnë edhe qeset mandej mundë të hasemi edhe në mosmarrëveshje dhe do të jetë shumë e kushtueshme edhe për gjepin e konsumatorit”, pohon ai.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar ishte shprehur pro bërjes së qeseve të plastikës me pagesë, veçse ishin në pritje të hulumtimit që Ministria e Mjedisit me ndihmën e GIZ-it kishin angazhuar një ekspert i cili do të bëjë një hulumtim për ndikimin e qeseve në mjedis.
Ndryshe, në Shqipëri që nga muaji qershor i këtij viti ka hy në fuqi ligji për ndalimin e qeseve të plastikës.
Rikujtojmë se një nga problemet mjedisore që dëmton më shumë planetin në nivelin e ndotjes dhe që njerëzit krijojnë në një shkallë të gjerë janë qeset plastike. Qeset plastike gjenerohen në sasi të mëdha çdo ditë, dhe po grumbullohen në çdo cep të planetit. /Vjollca Gajraku/arbresh.info/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...