U shkurorëzua pas 16 vjetësh martesë, rrëfimi i gruas që nuk mori asgjë nga pasuria e përbashkët me bashkëshortit

13:57 | 30 Tetor 2022
A Z

Dashuria po u shuhet, qiftet po ndahen. Shkurorëzimet kanë marrë hovin në Kosovë. Sipas agjencisë së statistikave të Kosovës vetëm në muajin gusht të këtij viti janë regjistruar 162 raste.

Ngjashëm i ndodhi edhe gruas Sh. P (emër i njohur për redaksinë), e cila u shkurorëzua pas 16 vjetësh martesë. Fëmijët i mbanë ajo dhe nga ish-burri përveç dhimbjes dhe problemeve që i shkaktoi, thotë se nuk mori asgjë nga pasuria që e krijuan së bashku.

“Punojë, fëmijët tash janë rrit. Nuk kam dashtë të marrë nga ai asgjë, sepse më ka shkaktuar shumë probleme. E mira e tërë kësaj është se unë tash jam mirë sepse kam duruar shumë”, rrëfen SH.P për arbresh.info.

Numër i madh i shkurorëzimeve, vetëdijesim i vogël i grave për kërkimin e pasurisë së përbashkët

Duket se njëjtë si Sh.P edhe shumë gra të tjera në Kosovë janë të interesuara, ose nuk kanë informacione të kërkojnë pasurinë që u takon  me ligj pas shkurorëzimit nga bashkëshortët.

Njohësit e çështjeve të drejtësisë dhe avokatët kanë mendime të ndryshme rreth vetëdijesimit të grave për të kërkuar pasurinë që i takon pas shkurorëzimit.

Avokati Labinot Vata thotë se kërkesat për shkurorëzim, gjegjësisht paditë për shkurorëzim dita- ditës po rriten, mirëpo jo edhe kërkesat e grave për ndarje të pasurisë së përbashkët.

“Si pikë kryesore, gjatë shqyrtimit kryesor, kryesisht është besimi i fëmijëve, kontakti dhe alimentacioni. Ndërsa sa i përket ndarjes së pasurisë së përbashkët, si kërkesë e femrave, mbetet e vogël. Ende nuk kemi një vetëdijesim për këtë të drejtë, e cila është e drejtë dhe e garantuar me ligjet në fuqi”, thotë Vata për arbresh.info.

Se dukuria e shkurorëzimit është në rritje e thotë edhe avokati tjetër Asdren Hoxha.

Avokati Hoxha për arbresh.info thotë se edhe vetëdijesimi i grave për të kërkuar pasurinë që u takon është rritur.

“Gjithsesi është në rritje, për shkak të vetëdijesimit të femrave edhe emancipimit të tyre përmes ndryshimit të jetës, punësimit, kapacitetit për të jetuar vet si edhe forcimit financiar. Megjithatë vlerësojë se ka edhe kërkesa për shkurorëzime fiktive, për të krijuar martesë të re në botën e jashtme”, thotë Hoxha.

E sa i përket ndarjes së pasurisë, Hoxha pohon se çështje pasurore nuk shqyrtohet bashkë me një çështje të përbashkët me shkurorëzimin, pasi pra këto te dyja nuk përzihen asnjëherë.

Aliu: Vetëm 35 për qind e grave kërkojnë pjesën e tyre të pasurisë

Në anën tjetër, Luljeta Aliu, një aktiviste për të drejtat e grave thotë se diskriminimi i grave ndodhë nga vetë gjykatat. Ato sipas saj e ndajnë pasurinë në mënyrë tjetër, jo sipas dispozitave ligjore.

Sipas saj, vetëm 35 për qind e grave kërkojnë pjesën e tyre të pasurisë.

“Për mënyrën e ndarjes së pasurisë siç ajo ndodhë në gjykatat tona, nuk ka bazë juridike. Është absolutisht arbitrare”. “Përkundër që vetëdija e grave është rritur dhe gratë kërkojnë pjesën e tyre të pasurisë pas shkurorëzimit, numri megjithatë mbetet i ulët. Sipas hulumtimeve tona në INJECT, vetëm 35 % e grave e kërkojnë pjesën e tyre të pasurisë. Por edhe kur gratë e kërkojnë, në gjykata pasuria ndahet në favor të kontributit financiar, gjë që favorizon burrat, meqë gratë kryesisht e sakrifikojnë kohën e tyre për fëmijët dhe shtëpinë”, shprehet Aliu drejtuese e INJECT.

Ajo më tej shton se për këtë arsye, në vitin 2017 e kanë kërkuar që të saktësohet ligji dhe është arritur që në vitin 2019 të hyjë në fuqi ndryshimi i Ligjit për Familjen, i cili kontributin financiar dhe atë të amvisërisë i përcakton si të barasvlershme.

“Kjo do të sigurojë që gratë në të ardhmen të marrin gjysmën e pasurisë së krijuar gjatë kohëzgjatjes së martesës”, thotë Aliu.

Ndryshe, nga janari e deri në muajin gusht të këtij viti, në Kosovë janë shkurorëzuar 1062 çifte sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK)./Vjollca Gajraku/ arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme