Shumë maturantë në Kosovë dëshirojnë të studiojnë në mjekësi. Arsyeja e vetme thonë të shkojnë në vendet e tjera të punojnë.
Disa studentë të mjekësisë tash veç se po ndjekin edhe kurse të gjuhës gjermane, pasi synim kanë të ikin nga vendi në mënyrë që të shkojnë e të punojnë në Gjermani.
Sipas kryetarit të Odës së Mjekëve të Kosovës Pleurat Sejdiu vetëm këtë vit 185 mjek janë larguar si dhe janë në procedurë të largimit nga Kosova.
“Janë 185 mjek që janë larguar apo janë në procedurë të largimit. Te gjithë këta janë pajisur me dokumente adekuate nga oda të cilat ju duhet për nënshkrim kontratash me institucionet shëndetësore dhe regjistrim në odat përkatëse të shteteve gjegjëse”, ka thënë Sejdiu për arbresh.info.
Po ashtu sipas një njoftimi të Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së, thuhet se gjatë vitit 2023 mbi 1500 infermierë janë në përgatitje që do të largohen nga Kosova.
Për të ndaluar ikjen e mjekëve në Shqipëri kryeministri Edi Rama ka marrë masa që studentëve të mjekësisë t’ua bllokojë diplomat, në mënyrë që mjekët të kontribuojnë në vendin e tyre për tre vjet.
Por, në Kosovë një gjë e tillë duket e pamundur për shkak të ligjit.
Sejdiu: Qeveria do merrte obligim punësimin e tyre, dyshoj se do mund ta bënte hapjen e 150 vendeve të punës për çdo vit
Por kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës Pleurat Sejdiu thotë se një ndalim i tillë mund të jetë problematike nga ana ligjore.
“Kjo çështje mund të jetë problematike nga ana ligjore, sepse mund të konsiderohet cenim i të drejtave të njeriut nëse nuk ka një dispozitë ligjore, e cila do mund të obligonte studentët e posa diplomuar të kenë ketë obligim ligjor. Po ashtu, me këtë rast shteti, qeveria, do merrte obligim punësimin e tyre dhe dyshoj se një gjë e tillë do mund te realizohej, bazuar në numrin e lartë të papunëve. Pra behet fjalë për hapjen e 150 vendeve të punës për mjek çdo vit”, ka thënë Sejdiu.
Po ashtu Sejdiu tha se organizata e OMK-së ka propozuar sanksionimin ligjor të hapjes së vendeve te punës, përveç sektorit primar, edhe te sektori sekondar si mjek ne repart apo klinike. Për këtë asnjëherë nuk ka gjetur përkrahje tek zyrtaret e MSh-se.
Po ashtu edhe njohësi i fushës së Shëndetësisë, Bujar Vitija për arbresh.info thotë se kjo mund të ishte zgjidhje, por nuk e di sesi është e rregulluar ligjërisht.
“Në Kosovë është diskutuar një gjë e ngjashme që specializantët të cilët financohen nga buxheti i shtetit, të kufizohen për një periudhë të caktuar për të punuar në sistemin publik, si kontribut për shtetin pas edukimit të tyre. Ndoshta kjo mund të jetë një zgjidhje, por nuk e di nëse mund të implementohet ligjërisht” ka thënë Vitija.
Po ashtu Vitija tha se ikja e mjekëve mbetet shqetësuese dhe trendi është në rritje. Prandaj është koha e fundit që të ndërmerret diçka në këtë drejtim.
Leposhtica: Një kufizim i tillë i paralajmëruar për mjekët në Shqipëri, nuk do të mund të zbatohej në Kosovë
Se a do të mund të merret një vendim i tillë edhe në Kosovë, juristi Labinot Leposhtica thotë se një gjë e tillë nuk mund të zbatohet në vendin tonë.
“Konsideroj se një ndalesë apo kufizim i tillë i paralajmëruar në Shqipëri nga kryeministri Rama nuk do të mund të zbatohej në Kosovë, sepse kjo qartazi do të kufizonte disa prej të drejtave dhe lirive themelore që garantohen me konventat ndërkombëtare që i reflekton edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Fillimisht një ndalesë e tillë do të binte ndesh me dispozitën kushtetuese për punën e detyruar, të drejtën e punës dhe lirinë e zgjedhjes së profesionit”, ka thënë Leposhtica.
Po ashtu Leposhtica thotë se një ndalesë e tillë e paralajmëruar decidivisht do të binte ndesh me këtë dispozitë kushtetuese.
“Secili person ka të drejtë të largohet nga vendi. Kufizimet e kësaj të drejte rregullohen me ligj, nëse ato janë të nevojshme për procedurën ligjore, zbatimin e vendimit të gjykatës ose për të përmbushur obligimin për mbrojtjen e shtetit, ka shtuar juristi Leposhtica.
Sipas tij duhet evidentuar po ashtu se politikat e BE-se promovojmë lirinë e lëvizjes, konkurrueshmërinë edhe të profesionistëve dhe në këtë drejtim ndalime apo kufizime të tilla bien ndesh me parimet e politikave të Bashkimit Evropian që garantojnë lirinë e lëvizjes dhe profesionit.
Ndryshe brenda këtyre 10 muajve, 183 mjekë kanë tërhequr dokumentin e pastërtisë etiko-profesionale nga Oda e Mjekëve të Kosovës, dokument që iu kërkohet për punësim në shtetet e Bashkimit Evropian. Sipas të dhënave të kësaj ode, nga viti 2018 e deri tash, nga Kosova kanë ikur 666 mjekë/arbresh.info/ Vjollca Gajraku/
Guardiola “ankohet” se nuk ka lojtarë, City i ga...
Kurti për Ditën e Veteranëve bëri nderime te Kompleksi Memor...
Mot i keq në Mbretërinë e Bashkuar, anulohen festimet për na...
E rëndë në Durrës, 82-vjeçari gjendet i masakruar në banesën...
Rrëfimi tundues i Xhenetës për braktisjen nga nëna, dhunën n...
Assesi të këndellet United, pëson humbje edhe nga Newcastle