Presidenti i Serbisë, Aleksadar Vuçiq, tha se paqja dhe shtensionimi i tensioneve janë detyra kyç për të gjithë.
Më 28 tetor, Vuçiq u takua në Beograd me kreun e Komitetit ushtarak të NATO-s, admiralin Tob Bauer. Siç njoftoi presidenti serb përmes llogarisë së tij në Instagram, shteti i tij vazhdon të jetë neutral në aspektin ushtarak, por do të vazhdojë të ketë “bashkëpunim korrekt” me NATO-n.
Takimi midis Vuçiqit dhe admiralit Bauer vjen katër ditë para përfundimit të afatit të vendosur nga Qeveria e Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa me akronime serbe për qytetet e Kosovës.
Serbët në veri të Kosovës kryesisht përdorin targa KM (Mitrovica e Kosovës), që Kosova i konsideron ilegale. Prishtina ka thënë se nga 1 shtatori deri më 31 tetor, të gjithë qytetarët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, mund t’i konvertojnë në targa RKS – Republika e Kosovës.
Besohet se në katër komunat në veri të Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq) janë afër 10.000 makina me targa të lëshuara nga Serbia, dhe sipas shifrave të fundit, vetëm 20 prej tyre janë riregjistruar në RKS.
Kryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – më 27 tetor paralajmëroi se do të vendosen bllokada në veri, nëse Kosova pas 31 tetorit do të konfiskojë targat dhe makinat e serbëve.
Kosova ka thënë se pas kësaj date, makinat me targat e lëshuara nga Serbia nuk do të mund të qarkullojnë brenda territorit të shtetit, e as të kalojnë kufirin.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova që të shtyjë afatin për riregjistrim për dhjetë muaj, por sipas zyrtarëve në Uashington, Prishtina ende nuk i është përgjigjur kësaj kërkese.
Më 25 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Kosova merr seriozisht sugjerimet e aleatëve ndërkombëtarë lidhur me shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat.
Por, Kurti ka thënë se afati është shtyrë një herë, pasi vendimi për riregjistrim ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht. Por, serbët lokalë atëbotë bllokuan rrugët në veri, për të kundërshtuar këtë vendim si dhe vendimin për lëshimin e dokumenteve për hyrje/dalje dhe ekzekutivi shtyu për një muaj zbatimin e vendimeve. Pak më vonë, çështjen e dokumenteve për hyrje/dalje, Kosova dhe Serbia e kanë zgjidhur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. /rel
Taksa mbi asetet e trashëguara bujqësore/ Fermerët në Britan...
Elshani: Personit të cilit i është gjetë armatimi lidhet me ...
Vuçiq konfirmon se do të vizitojë Moskën në maj
“Unë nuk kam ardhur këtu për të vuajtur për dashuri”, Lela n...
Shqipëria pëson dy gola për 10 minuta
U nënshkrua Deklarata kundër dhunës ndaj grave në politikë n...