Von der Leyen në Shkup: Do t’ia dalim me krizën energjetike

21:32 | 26 Tetor 2022
E.H

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka dhënë mbështetje Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, gjatë një vizite që ka realizuar të mërkurën në Shkup.

Ajo ka përmendur edhe krizën e energjisë, si pasojë e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Pas takimit me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski, presidentja e KE-së, von der Leyen, ka dënuar sulmet ruse në Ukrainë, duke i cilësuar “brutale” ndaj civilëve, por edhe ndaj objekteve të energjisë, me qëllimin e vetëm që populli ukrainas të vuajë sa më shumë agresionin rus.

“Jemi në një situatë shumë të rëndë. Po shohim brutalitetin e paparë që ka për qëllim t’ua pamundësojë grave, fëmijëve e burrave, ujin, ngrohjen e kështu me radhë. Janë sulme të tmerrshme.

Jemi të vetëdijshëm se Rusia do të bëjë gjithçka, jo vetëm për të terrorizuar popullin ukrainas, dhe për të paralizuar shtetin, por dhe që të dëbojë ukrainasit nga vendi i tyre.

Ata kanë mbështetje të fuqishme nga të gjithë ne, sa i përket ndihmës ushtarake për t’u mbrojtur, por edhe sa i përket ndihmës për përmirësimin e infrastrukturës sa më shpejt që të jetë e mundur.

Jemi të përgatitur edhe për fluks të refugjatëve, do të jemi solidarë me këtë popull dhe mesazhi im është i qartë: Çfarëdo qoftë taktika që do të përdorë presidenti rus, Vladimir Putini, ne do të qëndrojmë afër miqve tanë në Ukrainë, me besimin se Ukrainë do t’ia dalë”, ka deklaruar mes tjerash von der Leyen.

Gjatë qëndrimit të saj në Shkup është nënshkruar marrëveshja e parë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.

Marrëveshja për FRONTEX-in, që ka të bëjë me mbrojtjen e kufijve nga migrimi i paligjshëm, për integrimin evropian dhe përballjen me krizën energjetike, është nënshkruar në gjuhën maqedonase.

Sipas kryeministrit, Dimitar Kovaçevski, kjo gjë “tregon se gjuha maqedonase është e mbrojtur dhe nuk është cenuar me marrëveshjen me Bullgarinë”.

Duke folur për krizën energjetike, Leyen ka thënë se beson që kriza do të kapërcehet dhe se vendet e rajonit do të kenë mbështetjen e BE-së.

“Së bashku do ta kapërcejmë këtë krizë. Ne do ta kapërcejmë krizën energjetike me grante prej 80 milionë eurosh për Maqedoninë e Veriut dhe sigurisht do të vazhdojmë me grantet. Kjo mbështetje do të vazhdojë përmes një plani investimi me mullinj të erës dhe lidhjes me gaz me Serbinë dhe Kosovën”, ka thënë ajo.

Të enjten presidentja e Komisionit Evropian, Von der Leyen do të vizitojë Kosovën dhe Shqipërinë.

Von der Leyen do ta vazhdojë turneun në Bosnje-Hercegovinë më 28 tetor dhe më pas në Serbi.

Këtë turne nëpër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, presidentja e Komisionit Evropian do ta përmbyllë me vizitë në Mal të Zi, të shtunën, më 29 tetor./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme