Google ADS

Mbillen drunj në afërsi të Aeroportit, Osmani: Mbrojtja e ambientit nuk është luks

15:33 | 26 Tetor 2022
A Z

Në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” sot është bërë mbjellja e drunjëve me qëllim të ruajtjes së ambientit

Në këtë aktivitet mori pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se mbrojtja e ambientit nuk është luks, por është shumë e rëndësishme për jetën e qytetarëve dhe të gjeneratave të ardhshme.

“Mbrojtja e ambientit nuk është temë luksi, ajo ka të bëjë me shëndetin tonë, ka të bëjë me tokën në të cilën jetojmë dhe shkelim çdo ditë, gjithashtu, ka të bëjë me ajrin qe e thithim çdo ditë të jetës sonë

Andaj, është shumë e rëndësishme që të gjithë të fillojmë dhe ta ruajmë ambientin tonë të bukur.” – tha e para e shtetit.

Osmani theksoi se ky proces i mbjelljes së drunjëve ka filluar në aeroportin e Prishtinës, për shkak të vizitorëve që stacion të parë e kanë këtë vend.

“E kemi filluar këtë iniciativë në aeroport sepse ky është vendi i parë që çdo vizitor e sheh kur vjen në Kosovë. Andaj, ky ka qenë vendi më i mirë ku di të mund të fillonim një iniciativë të tillë.” – deklaroi Osmani.

Ajo falënderoi mërgatën, e cila ka qenë aktive për zhvillimin e këtij procesi, i cili tashmë gjendet në fazën e dytë, pasi faza e parë ka filluar në vitin 2021.

“Falënderoj mërgatën e cila në këtë fazë të dytë do të angazhohet masivisht, ashtu siç është angazhuar në çdo proces të zhvillimit ekonomik të vendit, edhe ata e kanë kuptuar se duke e mbrojtur ambientin ne e mbrojmë shëndetin e qytetarëve.” – theksoi ajo.

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Liburn Aliu, në mbjelljen e drunjëve në aeroportin e Prishtinës deklaroi se nga viti 2021 kanë filluar iniciativën e mbjelljes së një milionë drunjëve, ku deri më tani janë mbjellë 850 mijë te tillë

“Me iniciativën e presidentes Vjosa Osmani kemi filluar qe një vit mbjelljen e një milionë drunjëve, me qëllim vetëdijesimin e njerëzve për mbrojtjen e ambientit. Deri më tash janë mbjellë 850 mijë drunjë nga qershori 2021, e vetëm sot do të mbillen mbi 500 drunjë.” – deklaroi Aliu.

Aliu theksoi se ky ka qenë zotim i qeverisë, i cili sipas tij është përmbushur që përmes mbrojtjes së ambientit të japin mesazh pozitiv dhe të pastrojnë ajrin

“Me mbjelljen e drunjëve ne dhurojmë mesazh, mbrojmë tokën dhe bëjmë pastrimin e ajrit të cilin e thithim çdo moment.

Zotimet që i kemi vërë po i përmbushim.” – theksoi ai.

Ndërsa, Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, tregoi se kjo mbjellje e drunjëve të rinj ka filluar në tetor të vitit të kaluar dhe do të vazhdojë edhe më tej, pasi që ka rëndësi kombëtare, sepse Kosova ka shumë pyje, dhe mbrojtja e tyre është jetike për vendin.

“Drunjtë kanë një periudhë vegjetative kur mund të mbillen, për atë arsye mbjellja ka filluar në tetor të vitit 2021 dhe do të vazhdojë edhe më tej deri sa të arrihet numri të cilin e kemi premtuar kur kemi nisur këtë iniciativë. Kjo sepse drunjtë rëndësi kombëtare dhe përcjellin mesazhin e duhur për mbrojtjen e pyjeve tona, për të cilat, ne e dimë që ne kemi shumë të tillë.” tha Peci.

Peci gjithashtu tha se me këto iniciativa ndikohet në mbrojtje të pyjeve dhe rrjedhimisht, edhe në cilësinë e jetës.

Ai tha se ky duhet të kuptohet si shembull që çdo kush duhet të kontribuojë në natyrë, për hir të gjeneratave të ardhshme.

“Përmes këtyre hapave ne ndikojmë pozitivisht në mbrojte të pyjeve, rrjedhimisht në sistemin e ujitjes, në florën dhe faunën tonë, me të cilat bëhet edhe ngritja e cilësisë së jetës. Le të jetë kjo iniciativë një shembull se secili nga ne duhet ti jep natyrës me shumë se që i marrim, për hir të gjeneratave të ardhshme.” përfundoi ai./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme