Bislimi në Western Balkans Summit: Kosova, ka qenë eksportues i stabilitetit në rajon në 18 muajt e fundit

19:09 | 25 Tetor 2022
K.B

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor ‘’The Western Balkans Summit 2022’’, organizuar në Prishtinë nga revista prestigjioze The Economist, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Zëvendëskryeministri Bislimi ishte pjesëmarrës në panelin e diskutimit për Zhvillimin dhe Rritjen e Ballkanit Perëndimor.

Fillimisht, Bislimi tha se ndër qëllimet e Qeverisë është që Kosova të njihet dhe identifikohet nga partnerët ndërkombëtarë për zhvillimin, rritjen e ekonomisë dhe sukseset e arritura.

Ai foli mbi objektivat, prioritetet dhe vizionin e përqendruar në punësim, drejtësi, investime, eksport, formalizim të ekonomisë, energji, ambient, qëndrueshmëri, arsim dhe diasporë.

Në lidhje me arritjet e këtyre objektivave, zëvendëskryeministri tha se rrëfyes dhe tregues të suksesit janë rritja ekonomike prej 10.7%, rritja e të hyrave buxhetore me 30%, rritja e eksporteve me 2/3, rritja e investimeve të huaja direkte me 22% dhe krijimi i 35.000 vendeve të reja të punës.

Si burim i këtyre sukseseve dhe ajo çfarë ka kontribuar në këtë drejtim, u vlerësua kualiteti i demokracisë, stabiliteti politik, politikat e suksesshme anti-korrupsion dhe kualiteti i pakove të Ringjalljes Ekonomike të cilat adresuan sfidat e pandemisë dhe ato të energjisë elektrike.

Kosova ka qenë eksportues i stabilitetit në rajon në 18 muajt e fundit, dhe kjo ka qenë e reflektuar në një rrugëtim më të shpejtë edhe në përmbushjen e obligimeve në proceset e integrimit evropian.

Vendi ynë, u rrit me 17 vende në indeksin e Transparency International, tregues ky i përkushtimit të Qeverisë edhe ndaj sundimit të ligjit.

Bislimi foli edhe mbi atë se çfarë i ofron Kosova investitorëve potencialë dhe cilat janë pikat e forta të Kosovës ‘vis-a-vis’ rajonit, ku përmendi disa shembuj si politikat tatimore, krijimin e Gjykatave Tregtare, qasja e lirë në tregjet e BE-së dhe legjislacionin e harmonizuar me perspektivën evropiane.

Potenciali për tërheqjen e investimeve të huaja dhe sektorët premtues të Kosovës kalojnë nga teknologjia e informacionit deri te industria e prodhimit të ushqimit dhe pijeve, përpunimi i drurit, burimet natyrore, energjia dhe turizmi dimëror. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme