Google ADS

Ten Hag – Ronaldo, sot do të ndodhë takimi sy më sy

10:16 | 25 Tetor 2022
A. B.

Cristiano Ronaldo është bërë një problem dhe çështje së fundmi tek Manchester Unitedi.

Ylli portugez refuzoi të futej në lojë si zëvendësues ndaj Tottenhamit dhe u largua nga bankina për të shkuar drejt dhomave të zhveshjes ende pa përfunduar mirë loja.

Dhe, ky gjest u konsiderua jorespektues nga ana e “Djajve të Kuq”, të cilët e suspenduan atë për ndeshjen me Chelsean dhe e zhvendosën për të ushtruar me ekipin e të rinjve.

E tash, klubi nga “Old Traffordi” ka vendosur që trajneri Erik ten Hag të takohet personalisht me Cristiano Ronaldon për të biseduar për atë që kishte ndodhur javën e kaluar, shkruan mediumi britanike “The Express”.

Pra, takimi sy më sy do të ndodhë sot gjatë ditës, prej nga edhe do të nxirret një përfundim nëse “CR7” do të rikthehet në ekip për ndeshjet e mbetura para fillimit të Kupës së Botës.

Burimet brenda klubit thonë se Man Utd po mendon ta lirojë 37 vjeçarin nga kontrata dhe sot trajneri Ten Hag do ta kuptojë nëse pesë herë fituesi i Topit të Artë e ka mendjen të largohet gjatë janarit.

Ronaldo nuk është i lumtur në “Teatrin e Ëndrrave” dhe eksperienca e tij e dytë me United mund të marrë fund shumë shpejt.

Për të flitet se mund t’i bashkohet Chelseat në pjesën e dytë të sezonit, ndërkohë që së fundmi po përmenden edhe emrat e dy ekipeve italiane, Roma dhe Napoli, krahas ish-klubit të tij ku u rrit dhe u zhvillua, Sporting Lisbona.

Ronaldo e do një ekip me të cilin do të mundë të merrte pjesë në Ligën e Kampionëve. /GE/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme