Ashpërsimi i dënimit për dhunuesit, juristët: Duhet të zbatohet edhe për zyrtarët e shtetit që s’i zbatojnë këto ligje

10:59 | 23 Tetor 2022
A Z

Rritja drastike e rasteve të veprave penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje në vend, ka nxitur Qeverinë e Kosovës të ndryshojë Ligjin për Kodin Penal, duke ashpërsuar dënimit ndaj kryerësve të  këtyre veprave penale.

Njohësit e çështjeve të drejtësisë kanë pikëpamje të ndryshme rreth këtij vendimi të qeverisë.

Më shumë si populizëm se sa profesionalizëm e cilëson  njohësi i çështjeve juridike, Musa Damati ndryshimin e Ligjit për Kodin Penal.

Ai për arbresh.info deklaroi se legjislacioni duhet të udhëhiqet nga konventat profesionale.

“Si avokat, si njohës dhe si zbatues i ligjit për çdo ditë nëpër gjykata të ndryshme të Republikës së Kosovës, unë mendoj se infrastruktura dhe legjislacioni penal nuk do të duhej të udhëhiqet nga vendimet dhe parimet populiste, por duhet të udhëhiqet nga konvitat profesionale”, u shpreh Damati.

Ai, bëri të ditur se ky ndryshim i ligjit nuk është analizuar sa duhet që të sjell një rezultat efikas.

“Unë mendoj se Kodi Penal përkundër intencës dhe synimit të mirë, mendoj se nuk është shqyrtuar dhe analizuar mjaftueshëm në mënyrë që të jetë sa më produktiv”, potencoi Damati për arbresh.info.

Gjithsesi ai uron që me hyrjen në fuqi të ndryshimit të ligjit do të zvogëlohen rastet e dhunës.

Në anën tjetër njohësi i çështjeve juridike, Leotrim Gashi për arbresh.info thotë se me rritjen e rasteve të dhunës në familje institucionet duhet të ndërmarrin masa që të parandalohet.

“Rastet e dhunës në familje fatkeqësisht po vazhdojnë çdo vit e më shumë të rriten dhe për këtë arsye të gjitha institucionet dhe akterët tjerë publikë duhet të ndërmarrin masa për të parandaluar dhe sanksionuar këtë fenomen negativ në shoqërinë tonë”, u shpreh Gashi.

Gashi: Këto ligje duhet të zbatohen nga zyrtarët shtetëror, ose të ndëshkohen edhe ata

Megjithatë masat e ndërmarra për ashpërsimin e dënimeve sipas Gashit, duhet të zbatohet edhe nga zyrtarët e shtetit, në të kundërtën të njëjtit duhet të ndëshkohen.

“Masat e ndërmarra së fundi nga Ministria e Drejtësisë për ashpërsimin e dënimeve të dhunës në familje dhe të integritetit seksual, normalisht që janë në funksion të ndëshkimit më të ashpër të këtyre veprave penale, mirëpo, ajo çfarë duhet të jetë e domosdoshme që të bëhet, është zbatimi i ligjeve që miratojmë dhe të kundërtën të bëhet sanksionimi ndaj atyre zyrtarëve të shtetit që nuk zbatojnë këto ligje”, deklaroi ai.

Gashi për arbresh.info tha se një politikë e butë ndëshkimore ndaj të dënuarve të rasteve të dhunës është njëra nga arsyet e rritjes se numrit të dhunuesve

“Kjo ngase ne edhe aktualisht kemi ligje, shumica nga të cilat mund të konsiderohet se janë në harmoni me standardet ndërkombëtare, mirëpo këto ligje nuk janë zbatuar nga zyrtarët përgjegjës dhe për pasojë në Kosovë në këto vitet e fundit ka pasur shumë viktima të dhunës në familje e të veprave penale kundër integritetit seksual, e po ashtu edhe një politikë të butë ndëshkimore për të dënuarit e këtyre rasteve”, është shprehur  Gashi.

Ndërkohë,  mbledhjen e 100-të të Qeverise së Kosovës, është miratuar ndryshimi i Ligjit të Kodit Penal të Kosovës, ku parashihet ashpërsimi i dënimit ndaj kryerësve të veprave penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje.

Kodi i ri Penal për të dënuarit e dhunës parasheh ndalimin e të drejtës së kandidimit në çdo pozitë publike nga 3 deri në 10 vjet, ndalimin e të drejtës në përfitimin e automjetit dhe drejtimin e automjetit nga 1 deri në 5 vjet për personin e shpallur fajtor për veprën penale të dhunimit.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përveç që u ka bërë thirrje prokurorëve dhe policëve që të bëjnë punën e tyre siç duhet ka njoftuar se ata persona që ka për qëllim frikësimin, ushtrimin e dhunës fizike e seksuale ndaj grave që ushtrojnë funksione publike parashihet që dënimi të jetë 6 muaj deri në 3 vjet

“Kushdo që me qëllim të frikësimit, me dashje ushtron dhunë fizike, seksuale e ekonomike ndaj grave që ushtrojnë funksione publike apo kandidat, parashihet që dënimi të jetë 6 muaj deri në 3 vjet. Kurse për vepra penale në formë të organizuar cilësohet rrethanë rënduese. KGjK-ja e mban regjistrin me emër dhe mbiemër të personave që shpallen fajtor për këto vepra penale”, ka thënë Haxhiu

Kujtojmë se këtë vit, tema më e diskutuar në vend ka qenë dhuna seksuale, për shkak të rritjes së numrit të rasteve./Ejona Hyseni/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme