Tahiri: Kur të mungojë rryma në dimër, Qeveria do t’i fajësojë edhe qytetarët

19:47 | 22 Tetor 2022
E.H

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se për mungesë të rrymës në dimër, Qeveria do t’i fajësojë edhe vetë qytetarët.

Sipas Tahirit, Qeveria ka humbur kohë duke shpërndarë video propagandistike në vend se të fokusohej në sigurimin e kontratave për energji.

Ai konsideron se fakti që Qeveria Kurti ka krijuar një narrativë të edukimit publik e qytetar për ruajtjen e energjisë, do të shfrytëzohet nga po ata që kur të rriten shpenzimet e energjisë e të fillojnë reduktimet, Qeveria “përtej fajësimit të opozitës do të fajësojë edhe qytetarët”, për mos ruajtje të rrymës.

“Qeveria aktuale nuk ka siguruar asnjë kontratë për energji duke i lënë kështu qytetarët në mëshirë të kohës. Në vend se të fokusohej në sigurimin e kontratave të leverdishme, ajo ka shpenzuar kohën dhe potencialin në përgatitjen e videove propagandistike.

Kjo me qëllim të shpërqëndrimit të opinionit nga sfidat dhe problemet reale. Madje në funksion të justifikimit të këtij dështimi, ajo ka prodhuar narracione të edukimit publik e qytetarë.

Kjo me qëllim që kur të bien temperaturat, kur të rriten shpenzimet, kur të fillojnë reduktimet, kur të mungojnë blerjet dhe furnizimet me energji, si dhe kur të fluturojnë çmimet, ajo përtej fajësimit të opozitës do të fajësojë edhe qytetarët”, shkroi Tahiri./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme