Google ADS

Shqipëri: Gjykata e Vlorës lë në burg të arrestuarit për tjetërsimin e pronave në Himarë, Dhërmi dhe Gjilekë

17:20 | 22 Tetor 2022
E.H

Gjykata e Vlorës në Shqipëri vendosi të lërë në burg pesë nga gjashtë të arrestuarit e akuzuar për tjetërsim të pronave në bregdetin e jugut, mes Himarës dhe Dhërmiut.

Gjyqtari Enkel Peza la në fuqi masën e arrestit me burg për shetasit: Artur Duni, Arqile Veizi, Spiro Dhima, Serxhio Joshi dhe Denis Kokoveshi dhe ndryshoi masën nga “arrest në burg”, në “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” për shtetasen Vasillo Mehilli.

Ndërkohë për ish kryetarin e Qarkut Vlorë, Anesti Dhimojani gjykata la në fuqi vendimin e dhënë tre ditë më parë për hetimin e tij në “arrest shtëpie”.

Avokatët mbrojtës të të pandehurve kishin këruar masa më lehtësuese duke afruar edhe garanci pasurore.

Vendimi i Gjykatës së Vlorës u mor sot për një pjesë të 24 personave që po hetohen nga Prokuroria e Vlorës për “shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve” lidhur me tjetërsimin e pronave në bgredetin jugor.

Dy ditë më parë Gjykata e Faktit në Vlorë në kuadër të këtyre hetimeve miratoi edhe një kërkesë të Prokurorisë së Vlorës për vendosjen e sekuestros preventive për një numër të konsiderueshëm pasurish të paluajtshme nga Himara në Dhërmi, të cilat rezultojnë me dokumente të fallsifikuara.

Pasuritë e paluajtshme vendosur në sekuestro me një sipërfaqe totale gati 60 mijë metër katrorë në zonat e Himarës, Dhërmiut e Gjilekë, sipas përllogaritjeve me vlerën e tregut të Prokurorisë së Vlorës shkojnë në rreth 8 milionë dollarë.

Në njoftimin e dy ditëve më parë Prokuroria e Vlorës zbardhi edhe skemën e fallsifikimeve dhe tjetërsimit të pronave që niste me nxjerrjen nga disa prej zyrtarëve të akuzuar të dokumenteve origjinale të marrjes së pronësisë së tokës sipas ligjit 7501 që administroheshin në arkivën e Zyrës së Tokës pranë Qarkut Vlorë.

Më pas, sipas Prokurorisë, dokumentet riprodhoheshin, tjetërsoheshin me korigjime,fshirje dhe metoda të tjera duke shtuar në to sipërfaqe fiktive të tokës në bregdet dhe bëhej rikthimi në arkiv të Zyrës së Administrimit dhe Mbrojtjes Tokës i dokumenteve të fallsifikura.

Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se këto dokumente të fallsifikuara më pas u përcilleshin nga zyra e Administrimit të Tokës në Qarkun Vlorë në rrugë zyrtare si “kopje e njësuar” personave të interesuar, bashkisë Himarë ose Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë, me qëllim për t`u përdorur më pas për dhënien e akteve të reja të pronësisë dhe hipotekimin e tyre pranë Agjensisë Shtetërore të Kadatërs në Vlorë.

Prokuroria e Vlorës tha se lidhur me këtë procedim penal, hetimet vijojnë, për pasuritë e ndodhura në zonën e Dhërmiut, Gjilekës, Jalit dhe të Livadhit, për evidentimin e rasteve të tjera të përfituara në mënyrë të paligjshme, si dhe për veprimet e nëpunësve shtetërore, të cilët kanë kryer veprime lidhur me regjistrimin e këtyre pasurive./voa/

Të ngjashme