Lajçak për mundësinë e shtyrjes së afatit për targat: Është vendim i kryeministrit, s’e komentoj

15:48 | 22 Tetor 2022
A. B.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se çështja e shtyrjes së afatit për targat është vendim i kryeministrit Albin Kurti.

“Diskutuam për këtë çështje (për targat) dhe është vendim i kryeministrit, kështu që s’do ta komentoj këtë”, ka thënë Lajçaku në një konferencë për medie pas takimit me Kurtin në Prishtinë.

Duke mos dashur të komentojë më tepër, ai tha se takimi me Kurtin ishte i dobishëm dhe profesional.

“Shumë e dobishme. Ne po përparojmë në diskutimin tonë, kjo është e gjitha çka mund të them në këtë pikë… Ishte diskutim serioz, i mirë, i dobishëm dhe profesional”, ka shtuar ai.

Për një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, emisari i BE-së tha se kjo është në dorën e të dy vendeve.

Ndërkaq për draftin për asociacionin është informuar nga mediet kosovare dhe se BE-ja nuk e ka kërkuar një gjë të tillë. Sipas tij, BE-ja e sheh këtë draft thjesht si një letër.

“Kam mësuar për këtë letër (draftin për asociacionin) nga mediet e juaja, por nuk kam qenë i informuar më herët për të dhe nuk është shpërndarë me ne. Por, ne nuk i themi askujt ta bëjë këtë dhe e shohim si të gjitha letrat që prodhohen”, është shprehur ai.

Ai shtoi se është në kontakte të vazhdueshme me kryeministrin e vendit Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq./kk/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme