Presidentja Osmani priti në takim zëvendës presidenten e Palaut: Fuqizimi i grave është agjendë shtetërore dhe globale

17:02 | 21 Tetor 2022
E.H

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim zëvendës presidenten e Palaut, njëherësh ministre e Drejtësisë, J. Uduch Sengebau Senior.

Sipas Presidentes Osmani, takimi me zv.presidenten, Sengebau Senior është në funksion të konfirmimit të marrëdhënieve miqësore ndërmjet të dy shteteve dhe zotimit për thellimin e tyre.

Zv.presidentja e Palaut, Sengebau Senior do të jetë një nga pjesëmarrëset e Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, për të cilën gjë Presidentja Osmani e ka falënderuar.

Sipas Presidentes Osmani, fuqizimi i grave është agjendë shtetërore dhe globale, njëkohësisht, thuhet në komunikatën për media nga Presidenca.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar se fuqizimi ekonomik i grave ka rol përcaktues në avancimin e pozitës së tyre.

Në këtë kuadër, Presidentja vuri fokusin në edicionin e parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili sipas saj është një mundësi e mirë për rritjen e ndërgjegjësimit për nevojën për të njohur dhe promovuar aftësitë e grave dhe vajzave për të kontribuuar në mënyrë thelbësore në proceset e paqes dhe sigurisë.

Sipas Presidentes Osmani, vizita e Sengebau Senior është dëshmi e marrëdhënieve të mira dypalëshe, ndaj në këtë kontekst ka falënderuar Palaun për mbështetjen e vazhdueshme në drejtim të konsolidimit dhe forcimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës.

Në takim me zv. Presidenten Senior, Presidentja Osmani ka potencuar se marrëdhëniet me Palaun kanë potencial për zgjerim në shumë fusha me interes të përbashkët, si në bashkëpunim ndërparlamentar, tregti, turizëm e kulturë./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme