Escobar: S’kemi vënë afate për arritjen e marrëveshjes Kosovë – Serbi

15:42 | 21 Tetor 2022
K.B

I dërguari special i SHBA-ve për Ballkanin, Gabriel Escobar ka folur për raportimet e fundit të mediave se ka një afat për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai në një intervistë për RTS-në serbe ka thënë se e përkrah propozimin franko-gjerman, mirëpo se nuk ka ndonjë afat kohor, transmeton arbresh.info.

“Nuk jam në dijeni se propozimi evropian kërkon një zgjidhje urgjente brenda javësh, por sigurisht kërkon progres shumë të shpejtë në dialog”, ka thënë fillimisht ai.

Ai ka thënë se nga informacionet që ka, as evropianët nuk kanë vënë afate për arritjen e marrëveshjes.

“Nuk kam vënë ndonjë afat të fundit për këtë dhe propozimi është sërish në kontekstin e dialogut të udhëhequr nga BE. Para se të gjithash nuk është çështje e jona të vëmë afate, por me aq sa di, as evropianët nuk e kanë bërë një gjë të tillë”, ka thënë Escobar.

Këto deklarata të Escobar vijnë pasi që në media ka qarkulluar një dokument me modalitetet e formës se si do të veprohet tutje në dialog për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

Të njëjtat i përmendi mbrëmë edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq i cili tha se me shumë gjasë, atij do t’i vijë një dokument ku do t’i kërkohet që çështja me Kosovën të përmbyllet deri më 24 shkurt.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme