Eshtrat që u gjetën në Novobërdë janë të Bedri Rexhepit, ngrihet aktakuzë ndaj dy personave

10:53 | 18 Tetor 2022
A Z

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka mbajtur konferencë për medie lidhur me rastin e rrëmbimit dhe vrasjes së biznesmenit Bedri Rexhepi.

Prokurori i rastit Armend Hamiti ka bërë të ditur se është publikuar raporti i mjekësisë ligjore, me të cilin është vërtetuar edhe identiteti i Bedri Rexhepit.

Hamiti ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut, për rastin e biznesmenit Bedri Rexhepi.

Aktakuza është ngritur për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje.

Prokurori tha se motivi i vrasjes dyshohet të jenë 30 mijë euro.

“Kam arritur të vërtetoj dhe kam ngrit aktakuzë ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, në drejtim të veprave vrasje e rëndë në bashkëkryerje. Motivi i kryerjes së këtyre veprave është i ulët”.

“Sipas hetimit tonë, rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material, për 30 mijë euro”, ka deklaruar Hamiti.

Me 30 shtator janë gjetur mbetjet mortore që dyshohet se i përkasin Rexhepit, i cili ishte zhdukur më 8 prill të vitit të kaluar.

Bedri Rexhepi  më 8 prill 2021 kishte dalë nga banesa e tij në rrugën B. Ndërkohë, që dyshohej se ai ishte rrëmbyer. Për këtë çështje në pranga të policisë kanë përfunduar 3 persona.

Njëri prej tyre ishte paraqitur si agjent i CIA-s, duke paraqitur fakte të rreme tek familja e biznesmenit, kurse tash së fundmi, është arrestuar edhe Jeton Vllasaliu.

Sipas familjarëve të ndërmarrësit, në ditën kritike kur Bedri Rexhepi kishte dalë nga banesa, kishte qenë nën shoqërinë e klientit të tij, Jeton Vllasaliu.

Ndërsa, një ditë pas zhdukjes, vetura ishte gjetur e braktisur në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit dhe pa shenja për Rexhepin.

Ai punonte me tregtarë të ndryshëm, ndërkaq sipas familjarëve, ai nuk kishte pasur probleme me askënd.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme