Shqipëri sot nis viti i ri akademik, pedagogët paralajmëruan bojkot

08:57 | 17 Tetor 2022
Vjollca Gajraku

Nis sot (17 tetor) viti i ri akademik në Shqipëri për të gjithë studentët. Por nuk dihet ende nëse auditoreve do u bashkohen pedagogët, pasi këta të fundit paralajmëruan bojkotin e mësimit nëse pagat e tyre nuk do të rriteshin dhe nëse qeveria nuk do plotësonte kërkesat e paraqitura prej tyre.

Nga ana e qeverisë nuk ka ende asnjë vendim lidhur me një tjetër rritje page për pedagogët, duke qenë se në mbledhjen e Këshillit të Ministrave më 5 tetor u mor vendimi për rritjen me 15% të pagës së pedagogëve ku 7% do të mbulohet nga buxheti i shtetit dhe 8% nga buxheti i Universiteteve. Por kërkesa e pedagogëve është që rroga e tyre të rritet me 30 % për 2022 dhe 20 % për 2023.

Ndërkohë ditën e djeshme (16 tetor) ministrja e Asimit Evis Kushi u bëri thirrje pedagogëve për më shumë bashkëpunim, por nuk përmendi asnjë prej kërkesave të tyre.

“Dy fjalë edhe për ju, të dashur kolegë pedagogë. Dua t’ju shpreh respektin dhe mirënjohjen time maksimale për punën dhe përkushtimin tuaj në formimin e profesionistëve të së ardhmes. E në këtë fillim viti akademik, kam besim që ne do t’i rrisim më tej përpjekjet dhe bashkëpunimin për të bërë më të mirën për studentët tanë, por edhe për të rritur performancën në të gjitha aspektet akademike e universitare, në funksion të zhvillimit të vendit. Mbështetja jonë edhe për ju do të vazhdojë pa u ndalur”, shkroi Kushi./ RTSH/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme