Musliu kritikon Qeverinë Kurti: Duhet të angazhohet më shumë për liberalizimin e vizave

10:07 | 16 Tetor 2022
A Z

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, thotë me plotë bindje se Kosova tashmë i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Në një intervistë me shkrim për arbresh.info deputetja e PDK-së thotë se Qeveria Kurti është dashur të angazhohet më shumë për të arritur liberalizimin e vizave.

“Nuk ka vend për keqkuptime nëse ata na i caktojnë kriteret dhe ne i plotësojmë. Keqkuptime të qëllimshme mund ti quajmë vetëm akuzat dhe propagandën e qeverisë aktuale ndaj qeverive të kaluara të cilat i fajësonte dhe i diskreditonte për mos liberalizimin e vizave. Tani besoj e kanë kuptuar se kjo çështje nuk varet nga ne. Po ashtu mendoj se, në kontekstin e zhvillimeve në Evropë, qeveria aktuale është dashur të angazhohet më shumë për të arritur liberalizimin e vizave mirëpo si duket kanë qenë më të angazhuar për të prodhuar video propagandistike kundër oponentëve të tyre politik në vend”, thotë Musliu.

Ajo thotë se, bartësit kryesor të institucioneve tona u gjenden krejtësisht të painformuar rreth asaj që ishte planifikuar dhe për këtë përgjegjësi mbanë Presidentja, Kryeministri, Ministrja e Jashtme dhe diplomatët tonë në Paris dhe në Bruksel.

“Si duket nuk iu kanë mjaftuar dëmtimet që ia shkaktuan Kosovës gjatë kohës sa ishin në opozitë dhe po vazhdojnë me veprime të dëmshme edhe tani që janë në qeveri. Ajo që ndodhi, në një krahasim me deklaratat e qeveritarëve tonë, tregon se bartësit kryesor të institucioneve tona u gjenden krejtësisht të painformuar rreth asaj që ishte planifikuar dhe për këtë përgjegjësi mbanë Presidentja, Kryeministri, Ministrja e Jashtme dhe diplomatët tonë në Paris dhe në Bruksel”, thotë tutje Musliu për arbresh.info

Sipas Musliut, Qeveria duhet urgjentisht të fokusohet në një strategji të mirëfilltë për të ardhmen, pasi që liberalizimi i vizave varet nga BE-ja dhe nga Qeveria aktuale.

“Liberalizimi është çështje që nuk ka alternativë. Se kur do të ndodhë kjo varet nga BE-ja por edhe nga qeveria aktuale e cila duhet urgjentisht të fokusohet në një strategji të mirëfilltë për të ardhmen. Nëse kjo qeveri vazhdon me improvizimet e deritashme dhe me fushatën propagandistike kundër të gjithë qytetarëve të vendit që kanë guxim të mendojnë ndryshe atëherë ne do të humbim më shumë se liberalizimin e vizave”, u shpreh Musliu.

Tutje, deputetja e PDK-së ka kritika edhe për politikën e jashtme.

Megjithatë, sipas saj, diplomacia e Republikës së Kosovës është në shkatërrim e sipër.

“Politika e Jashtme e Kosovës, që kur ka ardhur në pushtet kjo qeveri ka pësuar goditje të njëpasnjëshme dhe gjendet pothuajse në kollaps.  Diplomacia e Republikës së Kosovës është në shkatërrim e sipër dhe kjo po ndodhë për teket kryeneqe të një Ministre të papërvojë e cila hakmarrjen personale po e vazhdon në kurriz të procesve të rëndësishme të vendit”, shtoi ajo.

Kujtojmë se më 13 tetor është mbajtur takimi i grupit punues të Këshillit të Bashkimit Evropian, ku është diskutuar për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Është raportuar se liberalizimi i vizave për Kosovën është kushtëzuar nga ana e Francës me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

Ndërsa, më 9 nëntor do të mbahet takimi i radhës./Vjollca Gajraku/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme