Google ADS

Të paktën dy të vdekur dhe 20 të plagosur nga shpërthimi i një miniere në Turqi

22:35 | 14 Tetor 2022
E.H

Të paktën dy minatorë kanë humbur jetën dhe 20 të tjerë janë plagosur si pasojë e një shpërthimi në një minierë qymyri në Turqinë veriore, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, konfirmoi viktimat në një postim në llogarinë e tij në twitter, ku theksoi se rreth 150 persona janë të angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit në minierën e qymyrit në rrethin Amasra të provincës Bartın, transmeton arbresh.info.

Dhjetëra minatorë besohet se janë bllokuar nën tokë që nga ora 18:15 sipas kohës lokale, kur ndodhi shpërthimi.

Më herët, guvernatori i provincës Bartın, Nurtaç Arslan, njoftoi se 14 minatorë janë nxjerrë jashtë dhe të paktën 49 janë bllokuar, por autoritetet akoma nuk kanë publikuar një shifër të përditësuar.

Duke tërhequr një deklaratë të mëparshme që thoshte se shpërthimi është shkaktuar nga një transformator, Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) tha se burimi i shpërthimi, i cili ndodhi në një thellësi prej 300 metrash, ende është i panjohur.

Presidenca Turke njoftoi se presidenti Recep Tayyip Erdoğan po monitoron nga afër situatën.

Sipas udhëzimeve të presidentit Erdoğan, tha presidenca, ministri i Punëve të Brendshme, Süleyman Soylu, ministri i Energjisë, Fatih Dönmez dhe ministri i Sigurimeve Shoqërore, Vedat Bilgin, janë në vendngjarje për të monitoruar operacionet e shpëtimit./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme