Protesta e profesorëve: Ta bëjmë Shqipërinë si Kosova

12:08 | 14 Tetor 2022
Emir Abduramani

Kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve në Shqipëri, Sandër Kovaçi, në protestën e sotme për rritjen e pagave dhe një arsim cilësor, deklaroi se në nivel pagash për profesorët ka ardhur koha që të themi, “Ta bëjmë Shqipërinë si Kosova”.

“Ka pasur keqkuptime për atë që synojmë ne me peticionet dhe protestat tona. Protesta jonë ka nisur për kritere ekonomike dhe kemi kërkuar një rritje 30% sivjet dhe 20% vitin e ardhshëm, duke u nisur nga kushtet aktuale në vendin tonë. Nuk do të ishim sot në protestë, nëse do të na rritej paga në mënyrë konstante, vit pas viti. Një asistent pedagog paguhet 59 500 lekë. Si mund t’i kërkosh informaticienit apo arkitektit që ka dalë me dhjeta, të vijë të punojë me këtë pagë? Shifra maksimale e profesorit është 96 000 lekë të vjetra, me 40 vite punë. Po ta krahasojmë me Kosovën, profesori merr 1450 euro. Këto janë fakte. Ka ardhur koha që mos të themi “Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa”, por të themi “Ta bëjmë Shqipërinë si Kosova”, tha Kovaçi.

Më tej, ai shtoi se vjetërsia paguhet vetëm deri në 15 vjet punë: “Ne e kemi 0,5% për 15 vjet, ne kemi kërkuar 1% deri në 25 vjet. Kërkesat tona janë minimaliste, pasi e krahasojmë edhe me realitetin”. /a2news

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme