Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka përsëritur qëndrimin “shumë të qartë” të Gjermanisë se Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe se pa këtë njohje nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian.
“Si Qeveri gjermane, ne kemi qëndrim shumë, shumë të qartë për njohjen”, ka thënë Baerbocku në një konferencë për media, bashkë me homologen nga Kosova, Donika Gërvalla-Schwarz, pas një takimi në Berlin.
Baerbock ka thënë se Gjermania po punon në mënyrë aktive për anëtarësimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe kjo nënkupton njohjen reciproke.
E pyetur për “disa propozime që qarkullojnë që Serbia ta lejojë Kosovën të hyjë në organizata ndërkombëtare, si në OKB, dhe si shpërblim të përfitojë një anëtarësim më të përshpejtuar në BE”, Baerbock ka thënë se “fuqia e Bashkimit Evropian është se edhe nëse keni mendime të ndryshme në fusha të ndryshme të politikave, duhet ta mbrojmë njëri-tjetrin në rast nevoje, ajo që kemi në nenin 5 të Traktatit të NATO-s është e sanksionuar edhe në traktatin evropian, angazhimi reciprok”.
Në anën tjetër, ministrja e Jashtme e Kosovës, ka thënë se këto raportime i ka parë në media dhe ka kujtuar se Rusia ka ushtruar ndikimin kryesor në rajon nëpërmjet lajmeve të rreme.
“Normalizimi në dialogun me Serbinë mund të kulmojë vetëm me njohjen reciproke”, ka thënë Gërvalla.
Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në OKB, ajo ka thënë se “natyrisht është për të ardhur keq që nuk kemi vetëm zërin kundërshtues të Serbisë, por kemi edhe dy aktorë në Këshillin e Sigurimit për momentin, që do ta kundërshtonin pranimin e Kosovës, dhe këto janë Rusia dhe Kina”.
“Prandaj rruga e Kosovës për në OKB është ndoshta pak më e gjatë. Por kjo nuk do të thotë se ne mund të dorëzohemi dhe se mund të anashkalojmë faktin se Kosova e ka fatin e saj në duart e veta, sepse ajo që ne mund të bëjmë, pa Rusinë, pa Kinën, pa Serbinë, është që të punojmë në vendin tonë për demokraci. për progres, për shtetin ligjor, për një të ardhme më të mirë, për të rinjtë tanë”, ka thënë Gërvalla.
“Ka ardhur koha për liberalizim”
Baerbock po ashtu ka thënë se ka ardhur koha për liberalizim të vizave për Kosovën e se kjo çështje është “prioriteti më i lartë”.
Duke folur për takimin e së enjtes të ministrave të Brendshëm të BE-së në Bruksel, ajo tha se Gjermania ka bërë fushatë që kjo temë të kthehet në rend të ditës.
“Dhe mund të premtoj se do të angazhohemi dhe që të sqarojmë të gjitha pyetjet dhe dyshimet që mund të kenë partnerët tanë në Francë, dhe që të mos ketë vonesa në zbatim”, ka thënë diplomatja gjermane.
Gërvalla-Schwarz ka thënë po ashtu se në rajon ka pasiguri për shkak të ndikimit rus.
“Ne nuk duhet të harrojmë frontin e dytë të Putinit dhe ai është Ballkani”, ka thënë ajo.
Ajo kujtoi, marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë, duke marrë shkas nga marrëveshja e nënshkruar së fundmi në Nju Jork mes dy ministrave të Jashtëm të dy vendeve për sinkronizimin e politikës së jashtme.
“Ne në rajon morëm mesazhin se duhet të kemi frikë për sigurinë tonë. Në fund të fundit, çfarë do të thotë sinkronizimi me politikën e jashtme ruse? Ne tani e dimë politikën e jashtme ruse, dhe kjo është arsyeja pse ne e dimë se presidenti serb Vuçiq nuk do të bëjë asnjë hap pa Putinin”, ka thënë Gërvalla duke u kërkuar evropianëve tone më të qarta në drejtim të Beogradit.
Gërvalla: Gjermania të konsiderojë shtimin e trupave në rajon
Gërvalla ka kërkuar nga Gjermania që, siç po vepron SHBA-ja, të shqyrtojë mundësinë e një pranie më të madhe ushtarake në rajon.
“Jam shumë e lumtur që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë plotësuar kërkesën tonë të kamotshme dhe tani po dërgojnë 300 ushtarë amerikanë në rajon dhe në Kosovë. Dhe gjithashtu do të doja të kërkoja që Gjermania dhe të tjerët të shqyrtojnë se a mund, apo duhet të dërgojnë sinjale të ngjashme në rajon”, ka thënë ajo.
Dy politikanet folën edhe për Procesin e Berlinit, në kuadër të të cilit pritet të ketë një konferencë të ministrave të Jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, javën e ardhshme në Berlin. Po ashtu ato theksuan marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe, të krijuara edhe për shkak të mërgatës së madhe kosovare që jeton në Gjermani. Kryediplomatja e Kosovës, falënderoi Gjermaninë për njohjen e lejeve të drejtimit të automjetit, prej të cilës sipas saj, deri tani kanë përfituar 12.500 shtetas të Kosovës, dhe ka thënë se tani po punohet për arritjen e një marrëveshje për heqjen e taksave të dyfishta./DW
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë...
Mot i keq e erëra të forta, komuna e Prishtinës apelon qytet...
Rihapet aeroporti në Londër/ Nuk jepen detaje pas alarmit pë...
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të Kosovës
Përleshje mes dy të miturve në Skenderaj, njëri prej tyre th...
A do të “rikthehet” Atilla sonte në BigBrother?