Krime lufte në Ukrainë, ekspertët vazhdojnë zhvarrimet në qytetin e Limanit

19:25 | 12 Tetor 2022
E.H

Ekspertët mjeko-ligjorë kanë nxjerrë trupa të shumtë nga një varr masiv në qytetin ukrainas të Limanit.

Autoritetet po përpiqen të mbledhin provat për një periudhë 4 mujore, gjatë të cilit qyteti lindor ishte nën pushtimin rus.

Trupat e fundit të gjetur i përkasin ushtarëve ukrainas të varrosur bashkërisht në varrin masiv.

“Kemi gjetur trupat e më shumë se 50 ushtarëve dhe civilëve. Varri masiv është i madh, por varet nga këndvështrimi i gjithsecilit. Edhe trupat janë shumë”, thotë Pavlo Kyrylenko, drejtues i administratës ushtarake të Donjeckut, shkruan euronews.al.

Mes të vdekurve po gjenden edhe fëmijë, por shumica e viktimave duket se kanë vdekur nga bombardimet.

Hetuesit thonë se kanë zbuluar edhe prova për ekzistencën e dhomave të torturave, por tregohen të kujdesshëm për këtë pistë dhe për të treguar nëse viktimat kanë shenja torturash.

Limani është në duart e forcave ukrainase që prej fundit të shtatorit, muaj kur kundërofensiva e tyre çoi në rimarrjen nën kontroll të territoreve të shumta në rajonet e Kharkivit, Donjeckut dhe Khersonit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme