Google ADS

Rezoluta kundër Dick Martyt, Rama do t’i drejtohet asamblesë së KiE-së në Strasburg

08:18 | 12 Tetor 2022
A Z

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot do të mbajë fjalimin e tij në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, aty ku do të kërkojë edhe rishikimin e raportit të Dick Martyt.

Rama do të kërkojë hedhjen poshtë të akuzave për trafikim organesh të qenieve njerëzore gjatë luftës në Kosovës, të cilat ndodhen në raportin e Martit.

Kreu i qeverisë shqiptare do të ketë 60 minuta në dispozicion për të mbajtur fjalën e tij përpara anëtarëve të këshillit dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve.

“Kur bota kthehet përmbys dhe viktimat kthehen në fajtorë, atëherë çdo gjë është e mundur… Nesër Fjala ime në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Rama në Facebook.

Më 21 korrik, Kuvendi i Shqipërisë votoi unanimisht me 125 vota pro për rezolutën që do të prezantohet nga kryeministri Rama.

Kjo rezolutë i bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të realizojë një raport vijues dhe më pas ndryshimin e raportit të vitit 2011.

Raporti i hartuar nga Dick Marty dhe i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendon se në trafikimin e organeve kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme